Shoqata Humanitare “Ndërtojmë të ardhmen” nuk ka kushte për aktivitetet e saj
Shoqata Humanitare “Ndërtojmë të ardhmen”, ka shënuar 13 vjetorin e ekzistimit të saj në Maqedoni...

Kjo shoqatë ndihmon dhe përfaqëson fëmijët pa prindër, të sapolindurit, fëmijët e rritur apo adoleshentët, nënat që kujdesen vetë për fëmijët e tyre dhe ato që janë në gjendje të rënduar sociale. Anëtarët e kësaj shoqate, gjatë këtyre viteve kanë qenë pjesë e shtëpive të kujdesit dhe në mënyrë vullnetare i ndihmojnë të gjitha kategoritë e rrezikuara sociale.
“Tani ndërtojmë të ardhmen me ekipin tim, të cilët punojnë në mënyrë vullnetare dhe janë anëtarë. Ne këto familje i ndihmojmë duke i përkrahur për të pasur një të nesërme më të mirë, të jenë përgjegjshëm ndaj shoqërisë, ata fëmijë të mos rrinë rrugëve, të mos kërkojnë lëmoshë, të mos pastrojnë dritaret e veturave nëpër semaforë, të jenë të pranuar në shoqëri, të jenë të civilizuar, të regjistrohen nëpër çerdhe, nëpër shkolla fillore dhe të mesme, por edhe në studime”- deklaroi ish personi i mbrojtur nga shtëpia e fëmijëve dhe të rinjve pa prindër, Ilia Jovanoviq.
Nga kjo organizatë theksojnë nevojën për hapësira ku do të mbanin donacionet, duke njoftuar se një kërkesë të tillë e kanë parashtruar edhe te qeveria, por ende nuk kanë marrë përgjigje konkrete. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
