Gjendja e sigurisë, Mickoski: Ka indikacione për konflikt ndëretnik

15.08.2024 15:50

Kryeministri Hristijan Mickoski...

Kryeministri Hristijan Mickoski, ka deklaruar se qeveria ka indikacione se struktura të caktuara me kapital të madh po tentojnë të shkaktojnë incidente dhe konflikte ndëretnike.

Kryeministri apeloi tek opinioni që të qëndrojë i qetë dhe të mos u nënshtrohet provokimeve dhe theksoi se autorët e këtyre provokimeve do të mbajnë përgjegjësi para organeve kompetente.

“Kemi indikacione për elemente që kanë në dispozicion miliona para. Disa prej tyre janë zyrtarë të lartë në ish-qeveritë që po përpiqen të mobilizojnë njerëzit në terren. Në pjesën më të madhe, ata përpiqen të manipulojnë dhe ajo që më shqetëson, ata përpiqen të provokojnë një konflikt etnik. Domethënë të destabilizojmë harmoninë ndëretnike në Maqedoni, këtë nuk do ta lejojmë” – deklaroi Kryeministri i vendir, Hristijan Mickoski.

Taravari: Nuk presim asgjë serioze

Ndryshe nga kryeministri Mickoski, për Arben Taravarin nga Koalicioni VLEN, paralajmërimet e BDI-së për protesta nuk përbëjnë ndonjë shqetësim.

“Unë e dijë se BDI-ja është joserioze. Unë e shoh që dalngadalë Fronti Europian po zhbëhet, tash po bisedojmë vetëm me BDI-në, kundërashtari politik realisht është BDi-ja, tjerat janë vetëm dekore. Nuk presim asgjë serioze, ju kujtohet telefoni i kuq, tre muaj, gjashtë muaj, një vjet, do vijnë zgjedhjet lokale do të mbarojnë zgjedhjet lokale BDI-ja do të vazhdojë të jetë në opozitë”. – u shpreh Kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Thaçi: Nevojitet marrëveshje e re shqiptaro-maqedone

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi thotë se është e nevojshme një marrëveshje e re mes maqedonasve dhe shqiptarëve, pasi sipas tij Marrëveshja e Ohrit nuk po i jep rezultatet e nevojshme tash e 23 vjet.

“Neve shqiptarëve të Maqedonisë na duhet marrëveshje e fuqishme me maqedonasit, ku do të jemi të barabartë tërësisht në ndarjen e interesave brenda shtetit të përbashkët, ku do të jemi me Kushtetutë të njëjtë, simbolika do të jetë e njëjtë, flamuri do kemi secili të veten, gjuhën e vetë, interesat e vetë, përndryshe kjo humbje kohe me Marrëveshjen e Ohrit 23 vjet, vetëm e vërteton pashërueshmërinë e dëshirës së maqedonasve për të na dominuar dhe sunduar” – tha Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Ndryshe BDI ka paralajmëruar protesta në çdo qytet të Maqedonisë së Veriut në shtator për të kërkuar që të respektohet legjitimiteti i shqiptarëve në votime. (Meral Ismaili, TVM2)