“Ecolog” investon në renovimin e spitalit të Tetovës

15.08.2024 15:18

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, bashkë me drejtorin e Spitalit të Tetovës, Agim Berisha...

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, bashkë me drejtorin e Spitalit të Tetovës, Agim Berisha, e kanë përgëzuar kompaninë “Ecolog” për investimin e bërë në rinovimin e repartit intern në Spitalin Klinik të Tetovës.

Taravari u bëri apel kompanive që sa më shumë të investojnë në shkolla dhe në spitale, më qëllim që sa më shumë të përmirsohen kushtet dhe shërbimet në vendin tonë.

“Gjithmonë investimet në këtë drejtim mundësojnë që pacientët të marrin shërbime shëndetësore më të mira. Unë e dijë se shumica e njerëzve tanë dhe kompanive, sidomos në Maqedoninë Perëndimore, investojnë nëpër xhami, që është shumë mirë, por dua t’iu përkujtoj që me siguri shumë më shumë sevape do të merrni nëse investohet nëpër shkolla dhe nëpër spitale spese i përmirësojmë kushtet në vende në të cilat mësojnë fëmijët tanë ose marrim shërbime shëndetësore ne.” – tha Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

“Ne afaristët gjithmonë kemi dëshirë, duam të ndihmojmë por pak a shumë, duhet dikush edhe të na motivojë dhe të aktivizohemi ku është në të mirën e shoqërisë, në të mirën e njerzive tanë. Besoj se drejtori i ri Agim Berisha, do ta vazhdojë punën ku kanë mbetur edhe pjesë tjera të spitalit dhe do të ketë edhe mirëmbajtje se çdo punë e mirë çka bëhet, duhet të ketë edhe mirëmbajtje.” – tha pronari i Kompanisë së njohur “Ecolog”, Lazim Destani.

“Ky projekt i investuar në spitalin tonë, është mjaft cilësor dhe bashkëkohor. Me këtë investim do të përmirësohen kualitetet dhe shërbimet tona të përditshme ndaj pacientëve tanë. Këto donacione të karakterit humanitar janë më se të nevojshme dhe prandaj shpresojmë se në të arrdhmen kjo kompani të vazhdojë me projekte të këtij karakteri për Spitalin Klinik të Tetovës.” – u shpreh Drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Agim Berisha.

Përndryshe në Spitalin e Tetovës po punohet në instalimin e ashensorëve të rinjë, të cilët me vite kanë qenë jashtë funksionit. (Visar Sadiku, TVM2)