Kumanovë, temperaturat e larta, thirrje të shumta në ndihmën e shpejtë

15.08.2024 16:26

Temperaturat e larta që kanë kapluar edhe rajonin e Kumanovës....

Temperaturat e larta që kanë kapluar edhe rajonin e Kumanovës, kanë ndikuar në shtimin e thirrjeve për ndihmë mjekësore në repartin e Ndihmës së shpejtë.

Në këtë repart, numri i pacientëve që paraqiten për ndihmë mjekësore lëviz deri në mbi 30 thirrje brenda 24 orëve.

“Nga temperaturat larta në përgjithësi pacientët kërkojnë ndihmë nga ne me ankesa të ndryshme, ndër to më të shpeshtat janë kokëdhimbje, humbje të fuqisë fizike, marramendje, humbje të vetëdijes që e klasifikojmë si kollaps i përgjithshëm. Për shkak të ushqimeve të shpejta në ndikim të temperaturës nuk mungojnë dhe ankesat me vjellje dhe diare që shpien deri te humbja e lëngjeve dhe elektroliteve. Ato që kanë diagnoza me sëmundje kronike, sidomos mosha e shtyer, shpesh përfundojnë dhe me insulte cerebovaskulare dhe infarkte akute të zemrës.  Ankesat dhe thirrjet e pacientëve thuajse janë të dyfishta. Gjatë 12 orëve që kujdestarojnë dy ekipe, numri i thirrjeve arrin deri në 20 vizita, nga te cilat 90% të rasteve janë nga pasojat e dehidrimit të pacientëve nga moskonsumimi i lëngjeve në sasi të duhur dhe qëndrimit për një kohë të gjatë në diell”, - njoftojnë nga “Ndihma e Shpejtë Kumanovë”.

Nga këtu mjekët u apelojnë të gjithë qytetarëve që të kenë kujdesë të shtuar dhe ti shmangin daljet në këto ditë të nxehta sidomos nga ora 11 e deri në ora 17, fëmijët dhe gratë shtatzëne të kujdesen në mënyrë të veçantë duke konsumuar sasi të mëdha të ujit, frutave të freskëta, perimeve më shpesh, të bëjnë kujdes me mënyrën e veshjeve, të veshin rroba të holla, të lirshme me ngjyrë të hapur, të mbajnë kapela që pengon kontaktin e rrezeve të diellit direkt me kokën e ata që marrin terapi t’i marrin rregullisht, si dhe të konsumohen sa më tepër lëngje dhe të shmangen ushqimet e rënda dhe me yndyrë. (Fatlum Aqifi, TVM2)