Vazhdojnë bombardimet izraelite në Rripin e Gazës
Pamjet e rënda tregojnë trupin e pajetë të një vajze shtatëvjeçare...

Pamjet e rënda tregojnë trupin e pajetë të një vajze shtatëvjeçare që vdiq nga uria në Rripin e Gazës. Vogëlushja që mbajnë në krahë prindërit, quhej Lina Sheikh Khalil dhe është në mesin e qindra fëmijëve të vdekur nga kequshqyerja dhe mungesa e trajtimit në Deir al-Balah.
Babi i vogëlushes, Musleh Sheikh Khalil, rrëfen se përveç vajzës, humbi edhe djalin për shkak të urisë.
"Vajza kishte nevojë për ushqim, të cilin ne e përgatisnim me blender ushqim si kungull i njomë, por kishte një periudhë kur furnizimet mbaruan, dhe ne nuk mund të merrnim qumësht nga Egjipti. Edhe djali im pësoi të njëjtin fat. Para luftës ne ia dilnim vetë, nuk kemi pasur kurrë nevojë për askënd. Tani fëmijët më vdesin në duar dhe nuk mund të bëj asgjë, pasi nuk ka ushqim.” – tha babai i vogëlushes shtatë vjeçare, Musleh Sheikh Khalil.
Mjeku kanadez Ben Thomson, një specialist internist, ndau dëshminë e tij gjatë përvojës si vullnetar i vijës së parë mjekësore në Gaza dhe kërkon të hiqet bllokada ushqimore, sepse fëmijët varen prej saj.
”Jam një dëshmitar okular në Gaza. Izraeli po kryen gjenocid, ndërsa udhëheqësit tanë mbeten të pafuqishëm për të vepruar në çfarëdo mënyre kuptimplote. Kërkojmë heqjen e menjëhershme të bllokadës së ndihmave humanitare, embargo të menjëhershme të dyanshme të armëve, respektim të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo duhet të jetë e menjëhershme. Fëmijët e Gazës varen prej saj.” – deklaroi Ben Thomson, mjek në Gaza.
Kalon shifrën 40 mijë, numri i palestinezëve të vrarë
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën në Gaza.
Ushtria izraelite vetëm gjatë ditës ka vrarë më së paku 40 palestinez dhe 107 të tjerë janë plagosur, shumica e tyre janë ende nën gërmadha dhe numri të të vdekurve mund të rritet.
Me këtë, numri i të vrarëve që nga fillimi i luftës ka kaluar shifrën prej 40 mijë. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka urdhëruar atë që të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
