Ministria e Punëve të Brendshme: Sulmohet stacioni policor
Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një incident në Stacionin Policor në Gushincë të Komunës së Likovës...

Stacioni policor është okupuar nga persona të armatosur të cilët kanë marrë armët dhe i kanë dëbuar policët nga stacioni.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme sqarojnë se sulmi ka ndodhur rreth orës 2.30 të mëngjesit të sotëm, kur një grup prej 40 personash kanë sulmuar Stacionin Policor në Gushnicë të Likovës. Siç bën të ditur Ivo Kotevski nga MPB, ata kanë qenë rëndë të armatosur, të maskuar me uniformë që kanë mbajtur emblemën e UÇK-së dhe kanë folur shqip.
“Katër policë që kanë qenë në kujdestari i kanë robëruar. Sulmuesit i kanë çarmatosur ata dhe i kanë lidhur me pranga, ndërsa njërin nga policët e kanë rrahur. Policëve u kanë dhënë afat prej 30 minuta që pas largimit të tyre të largohen nga stacioni policor. Njëri nga policët, i cili nuk ka qenë i lidhur, i ka liruar nga prangat policët e tjerë dhe janë larguar të gjithë në këmbë. Derisa janë larguar kanë dëgjuar të shtëna. Të gjithë këtë e kanë incizuar me kamerë. Njëri nga sulmuesit, i cili ka folur keq maqedonisht duke përdorur serbizma në gjuhë, u ka thënë se ata janë nga UÇK-ja, se dëshirojnë të ndërtojnë shtet të tyre dhe se as Marrëveshja e Ohrit, as Gruevski e as Ali Ahmeti nuk do t’i shpëtojnë”- deklaroi Ivo Kotevski nga MPB.
Sipas të dhënave të para të MPB-së, bëhet fjalë për persona nga Kosova, por ndërmerren masa të mëtutjeshme për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa për shkak të situatës serioze nuk mund të jepen më shumë detaje, tha Kotevski. (Sanije Kasami, TVM2)
