Destabilizimi i shtetit, Ahmeti mohon pretendimet e Mickoskit

16.08.2024 12:54

Trillime, pjesë e skenareve të rrezikshme qeveritare...

Trillime, pjesë e skenareve të rrezikshme qeveritare për të defokusuar opinionin, si të tilla i vlerëson kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti, paralajmërimet e kryeministrit Hristijan Mickoski për destabilizim të shtetit. Sipas Ahmetit me të pavërteta të tilla tentohet të mbulohet mossuksesi.

“Sajesat inekzistente të Kryeministrit Mickovski për skenare për destabilizim janë të pavërteta dhe paraqesin skenare të qëllimshme dhe të rrezikshme qeveritare për fajësim të të tjerëve me qëllim të defokusimit të opinionit nga mungesa e rezultateve dhe skandaleve të përditshme të qeverisë,” thuhet në kumtesën e BDI - së.

Komenti i Ahmetit erdhi në takimin e zhvilluar  me ambasadorin e Bullgarisë në Shkup, Angel Angellov, në selinë e partisë në Tetovë. Ahmeti ftoi qytetarët të mos besojnë në këto sajesa, duke siguruar se partia e tij është subjekt që angazhohet për mirëqënien e shtetit drejt integrimit në BE.

Sipas kreut të integristëve, aktivitet e Fronti Europian në shtator, do të jenë vetëm takime me qytetarë.

Ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria ka indikacione se struktura të caktuara me kapital të madh po tentojnë të shkaktojnë incidente dhe konflikte ndëretnike.

Mexhiti: Shqiptarët s’do mbështesin protestat

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, i konsideron të dështuara, thotë protestat  e Frontit Europian për destabilizim.

“Shqiptarët nuk do të përkrahin protesta dhe demostrata të atilla ku nuk ka kauzë kombëtare, nuk ka kauzë politike, por thjesht atyre u duhet mjegull për ta shpëtuar lëkurën e vet dhe për të shpëtuar Soravitë dhe çështjet tjera korruptive që i kanë pas.” – deklaroi Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

Filipçe: Dakordim midis VMRO-së dhe BDI-së

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe  për javoren “Fokus” është shprehur se narativët për destabilizim mund të jenë dakorduar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

“Nëse merret parasysh se BDI përkrahu VMRO-DPMNE-në për ligjin e riorganizimit të ministrive, pa të cilët nuk mund të formohej qeveria, atëherë s’do habitesha që e gjithë puna të jetë strategji e dakorduar midis dy partive. Edhe të mos jetë e dakorduar, kjo është në interest ë të dyja palëve”, është shprehur Filipçe.

Sipas Fillipçes tentativat e tilla janë të dështuara paraprakisht, pasi për dallim nga mandati I kaluar I VMRO – DPMNE-së, qytetarët dhe ekspertët herët zbulojnë taktikat e tilla, duke zbehur efektin e tyre në praktikë. (Meral Ismaili, TVM2)