Tensionohet situata në Lindjen e Mesme, përpjekje për të arritur armëpushim në Gaza

16.08.2024 15:30

Në ditën e dytë të bisedimeve për një armëpushim...

Në ditën e dytë të bisedimeve për një armëpushim në Rripin e Gazës. Shpresat për arritjen e rezultateve mbeten të zbehta, pasi Izraeli dhe Hamasi u qëndrojnë me këmbëngulje kushteve të tyre.

Presidenti i Palestinës, Mahmud Abas, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalojnë luftën dhe të gjejnë zgjidhje paqësore për të gjitha palët.

“Në këtë moment, duke qëndruar në një platformë ndërkombëtare, u bëj thirrje liderëve të vendeve arabe, liderëve të të gjithë botës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të bashkohen me mua në këtë detyrë humanitare. Punoni së bashku për të ndaluar agresionin, për të hequr pretekstet e pushtimit dhe për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të arritur sigurinë, paqen dhe stabilitetin për të gjithë” – tha Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas.

Nga Shtëpia e Bardhë, thonë se e ndjekin me shqetësim luftën në Gaza, pasi kjo mund të përshkallëzojë situatën në të gjithë Lindjen e Mesme, pasi gjasat që Irani të kryej sulme mbi Izraelin janë të mëdha.

“Vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër situatën në Lindjen e Mesme dhe sigurisht tensionet në rritje atje. Homologët izraelitë besojnë se gjasat janë shumë të mëdha që të ketë një sulm nga Irani ose përfaqësuesit e tij, kjo ndoshta mund të ndodhe ditëve në vijim. Ne i ndajmë këto shqetësime dhe kjo është arsyeja pse ne kemi folur vazhdimisht me homologët tanë izraelitë dhe me homologët e tjerë në rajon.” – deklaroi Koordinatori i SHBA-së për Komunikimet strategjike,  John Kirby.

Izraeli është i kërcënuar edhe nga grupet rebele ne Liban. Hezbollahu publikoi të premten pamjet e përshkruara se tregonin tunele nëntokësore dhe lëshues të mëdhenj raketash, në atë që dukej të ishte një mesazh gatishmërie mes tensioneve të rritura me Izraelin.   

"Rezistenca tani posedon raketa precize dhe jo precize së bashku me aftësitë e armëve, kështu që nëse Izraeli i imponon një luftë Libanit, Izraeli do të përballet me një fat dhe realitet të papritur. Lufta me ne shtrihet në të gjithë Palestinën e pushtuar, nga kufiri libanez në kufirin jordanez, në Detin e Kuq, nga Kiryat Shmona në Eilat"- deklaroi Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Kjo video katër minuta e gjysmë, e titulluar "Malet tona, magazinat tona", përshkruan objektin ushtarak "Imad 4", dhe tregon raketa të ndryshme dhe pajisje të tjera që Hezbollahu mund të përdorë në një lufte gjithëpërfshirëse me Izraelin. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)