Beteja luftarake në territorin rus
Vazhdojnë betejat luftarake mes ushtrisë ukrainase...

Vazhdojnë betejat luftarake mes ushtrisë ukrainase dhe ruse në territorin e Federatës Ruse, ndërkohë Moska ka filluar të zhvendosë ushtarët e saj nga pozicionet në territorin e okupuar të Ukrainës në zonën e Kurskut, njoftojnë nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne pamë që disa njësi ruse devijuan nga operacionet në Ukrainë në zonën e Kurskut. Këto janë vetëm raporte që kemi marrë prej atje. Nuk mund të them me siguri numrat apo objektivat e tyre, por ne kemi parë një lëvizje." – tha Sabrina Singh, Zv.Sekretare e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Zelensky thotë se ushtria ukrainase ka 82 vendbanime nën kontrollin e saj. Në inkursionin aktual, ata morën kontrollin e plotë edhe mbi qytetin rus Suja. Zyra e parë e komandës ushtarake u krijua gjithashtu në Kursk.
“Kemi progres të ri. Gjenerali Sirsky raportoi për çlirimin e qytetit të Sujës nga ushtria ruse. Aty është vendosur komanda ushtarake ukrainase. U çliruan edhe disa vendbanime të tjera. Në total, tashmë janë mbi 80.” – deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Moska thotë se po i shtyn njësitë ukrainase. Raporton qindra vdekje nga pala ukrainase ndërsa vazhdon të evakuojë popullsinë nga zonat e luftimit. U dha një urdhër për krijimin e një komiteti koordinues në rajonet e prekura.
“Me urdhërin tim, Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse krijoi një Komitet Koordinues për çështjet e mbrojtjes ushtarake të territoreve kufitare - rajonet Belgorod, Bryansk dhe Kursk. Ishte i përbërë nga krerët e autoriteteve ushtarake, përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm dhe krerët e entiteteve përbërëse të Federatës Ruse" – u shpreh Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Andrei Belousov.
Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës janë të mundshme nëse vendet perëndimore ulen në tryezën e bisedimeve, tha presidenti bjellorus Lukashenko, duke paralajmëruar se nuk do të përdorë armë bërthamore nëse nuk shkelen kufijtë e vendeve të tyre.
“Lidhur me armët bërthamore: butonat e kuq tashmë janë shtypur në perimetrin e Bjellorusisë dhe Rusisë. Mbetet vetëm për të shtypur më të kuqin. Nuk do të lëjojmë që ta shkelin kufirin tonë shtetëror, ashtu sic ndodhi me Bashkimin Sovjetik, nëse futen do të përgjigjemi menjëhër në përputhje me rrethanat. Nëse Perendimi dëshiron që një gjë e tillë të mos ndodhë, duhet të ulemi në tavolinën e bisedimeve dhe t’i japim fund kësaj lufte.” – theksoi Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.
Ndihmësi i presidentit rus, Patrushev, tha se NATO dhe Perëndimi ndihmuan në planifikimin e sulmit ukrainas në rajonin e Kurskut. Në të njëjtën kohë, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, njoftoi thellimin e bashkëpunimit me Kremlinin ndërsa mbi 800 trupa daneze mbërritën në Letoni si pjesë e gatishmërisë së NATO-s në Evropën Lindore për të penguar Rusinë nga veprimet agresive kundër vendeve të NATO-s, për t'i mbrojtur vendet baltike nëse është e nevojshme nga pushtimi rus. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
