Pjesëmarrësit në komunikacion nuk i respektojnë rregullat
Kapërcimi i bulevardeve nga njëra anë në tjetrën duke shkelur gjelbërimin, taksivozitës të ndalur në çdo semafor, parkim i palejueshëm i makinave dhe kalim i këmbësorëve në semafor të kuq, këto janë pamjet që mund t’i hasni çdo ditë në komunikacion...

Ndonëse janë realizuar shumë fushata për siguri në komunikacion, ende nuk është arritur qëllimi për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për respektimin e rregullave në komunikacion. Këmbësorët vazhdojnë të mos ndjehen të sigurt kur kalojnë rrugët, ndërsa drejtuesit e makinave nuk janë të gatshëm të japin përparësi kalimi, qoftë edhe në pikëkalimet për këmbësorë.
“Askush nuk i respekton rregullat në komunikacion”- tha një qytetar.
“Po, kemi frikë ta kalojmë rrugën. Duhet t’i respektojnë rregullat e komunikacionit. Nuk respektohen më së shumti kur hapet drita e gjelbër në semafor për këmbësorët, makinat kalojnë në të kuqen”- u shpreh një qytetar.
“Aty pak më poshtë është më rrezik për ta kaluar rrugën, aty kalojnë makinat me shpejtësi të madhe dhe është shumë rrezik”- theksoi një qytetar.
Në pyetjen e parashtruar se pse nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit, shumicës së qytetarëve u mungon përgjigja.
“Nuk e kam parë semaforin, u hutova me shokët edhe e kalova, vetëm sot më ndodhi”- tha një qytetar.
“Veç ashtu e kalove rrugën këtu”- theksoi një qytetar.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion bashkë me Ndërmarrjen Publike të Transportit dhe disa komuna tjera filluan fushatën e radhës për edukimin e pjesëmarrësve në komunikacion. Si kategori më e rrezikuar në komunikacion, këtë javë do të edukohen pensionistët të cilët gjatë kalimit të rrugës do të duhet të mbajnë jelek fluroscent.
“Do të shpërndajmë fletushka edukative dhe do t’u bëjmë trajnime pensionistëve për të marrë pjesë sa më të sigurt në trafik. Ne u bëjmë thirrje pensionistëve që gjithmonë të mbajnë jelek fluroscent në komunikacion, me qëllim që të ngrihet shikueshmëria e tyre në trafik, si dhe drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes të veçantë për kategoritë e rrezikuara”- thanë nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion.
E ndonëse realizohen fushata të shumta për edukimin dhe ngritjen e sigurisë në komutacion, gjithnjë e më shumë jemi dëshmitarë të personave që nga pakujdesia e tyre janë viktima të lëndimeve të shumta, shpeshherë edhe të rasteve tragjike në komunikacion. Vetëm gjatë ditës së djeshme ka pasur 9 aksidente të lehta në Shkup. (Rexhep Qamili, TVM2)
