Qeveria e Kosovës synon hapjen e Urës mbi Ibër, Stano: Kosova të dëgjojë miqtë dhe aleatët

16.08.2024 16:19

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano...

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka paralajmëruar Kosovën se rrezikon të mbetet e “vetme dhe mbrapa”, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e sajë, për synimin e sajë për hapjen e urës në Mitrovicë edhe për kalimin e automjeteve.

“Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe) kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano. 

Osmani: Nuk e pyesim Serbinë për urën, deklaratat e Stanos janë “raciste”

Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur raciste deklaratat e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ndërsa ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që çështja e hapjes së urës të diskutohet me Serbinë në Bruksel.

“Sa i përket BE-së, deklaratat e zëdhënësit të këtyre isntitucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështuqë as nuk besoj se meritojnë më shum vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar mbi ato deklarata të tyre raciste gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi që më duket se është nga Sllovakia e nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda teritorit të Republikës së Kosovës.” – u shpreh Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditura synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, por ky qëndrim është kundërshtuar nga SHBA-ja, BE dhe vendet e QUINT-it, të cilat e kanë vlerësuar si qëndrim të njëanshëm. (Fitore Demolli, TVM2)