Rasti i Blerim Ramadanit, Këshilli Gjyqësor formon Komision
Këshilli Gjyqësor në një mbledhje urgjente...

Këshilli Gjyqësor në një mbledhje urgjente solli vendim për formimin e një Komisioni që do ta konstatojë gjendjen reale lidhur me vendimet e miratuara nga ana e Gjykatës Themelore Penale Shkup, në lidhje me rastin e shtetasit të Kosovës Blerim Ramadanit, i cili u arratis nga arresti shtëpiak, derisa në vijim ishte procedura e ekstradimit.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në fillim të seancës, deklaroi se zyrtarisht për asnjërën nga këto raste nuk është njoftuar, por Këshilli Gjyqësor ka për detyrë të reagojë pas informatës së arritur.
“Duhet të formohet një komision dhe të konstatohet sa më parë gjendja faktike lidhur me këtë dhe të dalim me të dhëna konkrete para opinionit. Diçka po ndodhte. Gjykata ka faj, nuk ka faj dhe të mos paragjykojmë. Reagimi i Këshillit Gjyqësor në këtë moment, sipas kompetencës së tij, është të hetojë situatën”. – tha Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Komisioni përbëhet nga koordinatori i Gjykatës Themelore Penale Shkup, gjyqtari Aleksandar Kambovski, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli dhe anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska.
Pas raportit të komisionit Këshilli Gjyqësorë do të diskutojë nëse do të kërkohet përgjegjësi për gjykatësin e gjykatës penale, Pajazit Pajaziti.
Mickoski: Nuk u respektua praktika gjyqësore
Për këtë rast drejt Këshillit Gjyqësorë ka bërë me gisht Kryemsinitri, Hristijan Mickoski, duke theksuar se kjo është edhe një dëshmi se pse duhet ndryshuar kjo përbërje e Këshillit Gjyqësor.
“Pyetja është se pse është vendosur të jetë në burg shtëpiak, sepse vendimi në vitin 2019-të, i Gjykatës supreme është shumë i qartë, kur personi i atëhershëm që ishte në paraburgim ekstradues është liruar, e përsëris është liruar. Pse ky gjykatës i cili në të kaluarën është i njohur për shumë vendime kontradiktore gjyqësore, përfshirë edhe atë për dhunuesit në MËNAF, sjell vendim i cili e suspendon praktikën gjyqësore dhe e mbi sinhronizon vendimin e gjykatës më të lartë siç është gjykata supreme, kjo është çështje e cila duhet të shqyrtohet shumë seriozisht. Pse kjo u ngrit në temë politike, poashtu është çështje e cila duhet të shqyrtohet dhe shumë seriozisht të analizohet. Ky është edhe një konfirmim se pse sistemi gjyqësorë jo më kot ka rejting prej vetëm 2% te qytetarët. Dhe derisa gjykatës të këtillë janë pjesë e sistemit gjyqësorë ne nuk mund të kemi shtet juridik.” – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
BDI: Akuza Qeverisë për rastin Ramadani
Bashkimi Demokratik për Integrim tha se ka dështuar plani i Vuçiqit dhe qeverisë monoetnike për ekstradim të ushtarit të UÇK në Serbi dhe shtoi se, Mexhiti dhe Taravari kanë mashtruar opinionin publik se është liruar Blerim Ramadani.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që dështoi plani i Vuçiqit dhe qeverisë monoetnike për ekstradim të ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga Kosova i cili po përndiqet me urdhër të qeverisë serbe dhe ishte arrestuar në Shkup”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Mexhiti: Akuza ndaj BDI-së për rastin Ramadani
Por Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, akuzoi BDI-në për rastin e Ramadanit, duke shtuar, se kanë gënjyer kur kanë thënë se është rasti i parë që një ushtar i UÇK-së arrestohet në Maqedoni.
“Në anën tjetër protestojnë për lirimin e tij, por veprimet nuk i kanë me atë që e thonë, përkundrazi kanë qenë në kundërshtim të këtyre vendimeve për ta ndihmuar ish-ushtarin e UÇK-së. U munduan me lajme të rrejshme të thonë se kjo është rasti i parë ku mbyllet ushtari i UÇK-së, ndërsa të njëjtit mbrëmë lavdërohen për rastin Dugolli se si në kohën e tyre është liruar që edhe kjo nuk është e vërtet, është rrena e dytë për shkak se z. Dugolli është liruar vetëm kur është sjellë vendimi i Gjykatës Supreme”. – deklaroi Zv.Kryeministri i Parë i Qeverisë, Izet Mexhiti.
Ish pjestari i UÇK-së Blerim Ramadani ishte arrestuar gjatë hyrjes në Maqedoni për shkak të një fletë arresti ndërkombëtarë të lëshuar nga Serbia, por i njejti u arratis për në Kosovë nga paraburgimi shtëpiak, pas vendimit gjaqësorë që ai të kthehet në paraburgim në pritje të vendimit për ekstradim. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
