Botë

Liban, nëntë të vrarë nga sulmet izraelite

17.08.2024 11:47

Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, pasi një sulm izraelit goditi një ndërtesë banimi në qytetin Nabatie...

Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, pasi një sulm izraelit goditi një ndërtesë banimi në qytetin Nabatie, në jug të Libanit, njofton agjencia shtetërore e lajmeve. Ushtria izraelite tha se sulmi shënjestroi një depo armësh që përdorej nga luftëtarët e Hezbollahut. Por një qytetar libanez ankohet se është sulmuar një zone industrial. 

“Ky është rajon industrial, fabrikë për tulla, therrtore dhe fabrikë për metale dhe fermë lopësh. Ky është rajon industrial dhe civil. Një ora një e njëzet ndodhi sulm ajror, kanë humbur jetën rreth 13 persona edhe punëtorët tanë janë lënduar leht.”, u shpreh një libanez. 
 
Tensionet janë rritur javëve të fundit në rajonin e Lindjes së Mesme, pasi një sulm me raketa, për të cilin u fajësua Hezbollahu, la të vrarë 12 të rinj në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli. Izraeli u kundërpërgjigj duke vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut gjatë një sulmi në periferi të Bejrutit.
 
 Hezbollahu është zotuar se do t’i hakmerret Izraelit edhe për vrasjen në Iran të Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit. Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbejnë zjarr në kufi pothuajse në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit. 
 
Por presidenti amerikan, Joe Biden, është shprehur optimist lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lirimit të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit. Dy orë pasi përfunduan bisedimet në Doha dhe njoftimit se bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme, Biden tha se arritja e një marrëveshjeje armëpushimi “është shumë, shumë më afër sesa ishte tri ditë më parë.
 
GYLTENE SINANI