Maqedoni

VLEN: Jemi për funksionim normal të gjyqësorit

17.08.2024 14:00

Koalicioni VLEN ngre zërin për funksionim normal të sistemit të drejtësisë pas pranimit të fajësisë...

Koalicioni VLEN ngre zërin për funksionim normal të sistemit të drejtësisë pas pranimit të fajësisë të ish gjykatësit kushtetues Ixhet Memeti për përfshirje në rryshfet prej 10 mijë euro, së bashku me gjykatësin e supremes Naqe Georgiev me qëllim të uljes së dënimit të ish kryetarit të komunës së Novo Sellës, Boro Stojçev. Zëdhënsi Fari Hiseni thotë se angazhimi do të shtrihet në sigurimin e organeve funksionale të sistemit të drejtësisë e të cilat më tej do të kryejnë hetime të pavarura dhe sjellin vendime të drejta gjyqësore, përfshi këtu edhe Këshillin Gjyqësor dhe të Prokurorëve, përderisa kryeministri kërkon shkarkimin e të njëjtëve.

“Jemi pro idesë që të krijojmë kushte të funksionohet në mënyrë racionale dhe objektive në çfardo lloj të këshillit ose organi shtetëror gjyqësor që ekziston në vend; dmth qëllimi ynë si koalicion VLEN është të krijojmë kushtet e nevojshme që si prokuroria si gjyqësori të ketë kushte optimale për të ndjek, për të bë hetuesinë dhe për të sjell aktgjykime në bazë të fakteve, në bazë të dëshmive pa ndikim të politikës.”, u shpreh zëdhënësi i VLEN-it, Fari Hiseni.
 
Nga VLEN nuk kursyen akuzat ndaj BDI-së për besimin e ulët në gjyqësor dhe pretendimet për llogaridhënie politike. 
 
“Kur BDI flet për veting, le të jemi të qartë se kjo është vetëm një farsë, kur ajo flet për drejtësi, kjo është një gënjeshtër. E ardhmja jonë nuk mund të ndërtohet mbi themelet e një drejtësie të korruptuar dhe të kompromituar.”, tha Hiseni.
 
BDI tanimë një kohë më të gjatë kërkon veting ndërkombëtarë për drejtësi joselektive, e që është kundërshtuar nga pushteti duke u thirur në ligjet ekzistuese.
 
MERALE SIMAILI