Maqedoni

Zjarret, gjendja alarmante në fshatin Gari të Dibrës

17.08.2024 14:28

Zjarr i fuqishëm tanimë tre ditë aktiv në malin Stogovë në afërsi të fshatit Gari të Dibrës...

Zjarr i fuqishëm tanimë tre ditë aktiv në malin Stogovë në afërsi të fshatit Gari të Dibrës. Ky është njëri nga 13 zjarret aktive në mbarë vendin, ku po digjen pyje të ndryshme. Zjarrëfikësit së bashku me policinë e pyjeve po luftojnë me flakët, por nuk është e mjaftueshme. Ata presin ndihmë nga ajri. 
 
“Bëhet fjalë për teren malor, vështirë i depërtueshëm. Deri më tani janë djegur hapësirë prej 60 hektarësh, por nëse nuk ndërhyhet urgjentisht nga ajri, zjarri mund të përhapet.”, thotë Xhetan Miftarovski, komandant i njësisë së zjarrfikësve të Dibrës.
 
Ndërkohë banorët e fshatit janë në panik pasi thonë së flakët e zjarrit janë duke iu afruar shtëpive të tyre. Ata ankohen se nuk po bëhet asgjë që të ndërpritet kjo katastrofë. Kryetari bashkësisë lokale të fshatit Stevo Llazarevski thotë se situata është alarmante dhe njerëzit kanë filluar që të lëshojnë vatrat e tyre.
 
“Situata është alarmante, banorët në frikë. Ata kanë nisur të lënë shtëpitë e tyre, zjarrfikësit janë lënë vetëm të ndihmuar nga policija e pyjeve. Presim ndihmë nga qendra për menaxhim me krizat, pasi në çdo moment zjarri po u afrohet fshatrave.”, tha kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Gari, Stevo Llazarevski.
 
Sipas Qendrës për Menaxhim me Krizat, për momentin në fshatin Gari ka vetëm tym, ndërkaq zjarri është lart në mal. Helikopterët do të shfrytëzohen vetëm nëse ka nevojë, thonë nga Qendra.
 
“Ky zjarr është larg fshatit. Nëse flakët përhapen me këtë shpejtësi, do ti duhen më shumë ditë që t’i afrohen fshatit, por atje banorët lokal janë organizuar dhe me mbështetjen e pyjeve nacionale do të përpiqen të ndalojnë zjarrin, nëse i afrohet fshatit.”, tha drejtor i Qendrës për Menaxhim me Krizat Stojançe Angellov.
 
Për shuarjen e zjarreve janë lajmëruar banorë nga fshatrat lokale, por si pasojë e mospërgatitjes së tyre profesionale dhe mungesës së pajisjeve, atyre nuk i’u është lejuar ndërhyrja. Aatualisht në vend ka rreth 13 zjarre aktive, prej 13 ditësh është aktiv edhe zjarri në parkun nacional Galiçica.  
 
MERALE ISMAILI