Maqedoni
UShT, studentët bënë hapje solemne të hartave tematike
21.04.2015 15:38
Në hapësirat e Rektoratit të UShT-së u bë hapja solemne e Ekspozitës së Hartave Tematike, të punuara nga studentët e Katedrës së Gjeografisë...

Në bashkëpunim me Kompaninë “Hier”, degë e firmës “Nokia”, u krijuan rreth 37 harta, të cilat ishin të punuara në formë autoriale dhe origjinale. Projekti zgjati afër një viti, ku ishin të përfshirë rreth 60 studentë të gjeografisë.
“Në kuadër të hartave, ne mendojmë se kemi përgatitur një kuadër i cili është i përgatitur që nesër të mundet të jetë pjesë e tregut të punës, të mund të jetë pjesë e të gjitha proceseve për avancimin e teknologjisë, për përdorimin e sistemeve të informacioneve të gjeografisë”- deklaroi mentori i hartave tematike, prof. dr. Bashkim Idrizi.
“Është aktivitet i parë i këtij lloji për përpilimin e hartave, është një punë e gjatë, e mundimshme, pra studentët kanë punuar diku afër një viti për të mbërritur deri tek kjo ditë, ku është bërë edhe ekspozita e hartave”- tha prodekani në kuadër të FShMN-së, doc. dr. Shefket Dehari.
I pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Kompanisë “Hier” të gjigantit “Nokia”, Aleksandër Todorov, i cili shpërndau disa certifikata për studentët më të dalluar që punuan për realizimin e Ekspozitës së Hartave Tematike pranë UShT-së.
VISAR SADIKI
