Botë
Gaza, vriten 19 palestinezë nga sulmet izraelite
18.08.2024 12:58
Sulmet ajrore izraelite, të kryera gjatë natës, kanë lënë të vrarë të paktën 19 persona...

Sulmet ajrore izraelite, të kryera gjatë natës, kanë lënë të vrarë të paktën 19 persona. Në mesin e viktimave janë një grua dhe gjashtë fëmijët e saj.
Sipas spitalit Martirët e Al-Aksës, sulmet izraelite përfshijnë një sulm në orët e para të së dielës në një shtëpi në qytezën Deir al-Balah, ku u vra gruaja me gjashtë fëmijët e saj. Poashtu një sulm ajror në qytezën Xhabalija goditi dy banesa, duke vrarë dy burra, një grua dhe vajzën e saj, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
Një tjetër sulm, afër qyteti jugor Han Junis la të vrarë katër pjesëtarë të një familjeje, përfshirë dy gra. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për të ndihmuar palët që të tejkalojnë dallimet për të arritur një marrëveshje armëpushimi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur në Izrael, për të takuar me zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Më herët gjatë javës, në Doha u zhvilluan bisedime dyditore për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lirimit të pengjeve. Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për arritjen e një pakti, që do të ndalte luftimet dhjetëmujore mes Izraelit dhe Hamasit.
GYLTENE SINANI
