Ekonomi

Kredia hungareze, një hap drejt zhvillimit apo një shpatë me dy tehe?

18.08.2024 15:32

250 milionë euro pritet të përfundojnë së shpejti te kompanitë vendore....

250 milionë euro pritet të përfundojnë së shpejti te kompanitë vendore. Këto mjete do të jepen në formë kredish me interes të ulët, të siguruara përmes një huamarrjeje nga Hungaria.
 
Fondet nga linja e kredisë ofrohen me interes 3.25%, 15 vite shlyerje dhe 3 vjet grejs periudhë, realizimi do të bëhet nga Banka e Zhvillimit dhe do të jenë në dispozicion të përdoruesit fundorë përmes bankave komerciale në vend.
 
Për të përfituar nga kjo kredi, kompanitë do të duhet të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese. Ministria e Financave po harton një ligj për të përcaktuar në detaje kushtet për aplikim. 
 
“Mjetet e paralajmëruara për kompanitë në vlerë prej 250 milionë euro janë dedikuar kryesisht për mbështetjen e një cikli të ri investues në sektorin privat, i cili do të sigurojë zhvillim. Këtu para së gjithash mendohet për kapacitetet prodhuese, me qëllim që të rrisin prodhimin dhe pikërisht një nga kriteret do të jetë rritja e volumit të prodhimit të kompanisë që do të jetë përfituese e fondeve.”, thonë nga ministria e financave pa dhënë detaje shtesë. 
 
Ekonomistët vlerësojnë se kushtet e kredisë janë optimale. Ata e përshëndesin faktin që rritja e prodhimtarisë është një nga kriteret, pasi kjo mund të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik. Por sipas profesorit universitar Bujamin Bela, sfidë e qeverisë do të jetë që investimet të fokusohen në sektorët e duhur. 
 
“Të jetë sa më shumë e koncentruar në ato sektorë të cilat japin vlerë shtesë, siç është infrastruktura, pavarësia dhe efikasiteti energjetik, investimi në kapitalin njerëzor. Mendoj se është në mungesë për të rritur vetdijen, për të rritur aftësitë për të rritur kompetencat për të krijuar inovacione, për shkak se inovacionet janë ato që sjellin progres dhe janë multiplikator të zhvillimet.”, u shpreh profesori universitar Bujamin Bela.
 
Nga ana tjetër, biznesmenët kërkojnë kritere më të lehta dhe më shumë fleksibilitet për të shfrytëzuar këtë kredi. Megjithatë nuk presin që kjo hua të ketë ndonjë efekt të madh në ekonominë e kompanive vendore dhe të ekonomisë së përgjithshme të shtetit.
 
“Sa më shumë të ketë grejs periudhë është më mirë, kamatat sa më të ulëta do të jetë më mirë, por nuk pritet të ketë ndonjë pompozitet i madh nga kjo linjë kreditore, do jetë si çdo linjë tjetër kreditore.  Mirë është të mos kufizohet vetëm për prodhues, por të jetë еdhe për veprimtaritë tjera. Nuk ka nevojë të jenë të dedikuara, sepse ka edhe shumë veprimtari tjera që janë në zhvillim të sektorit të tregtisë, sektorit të logjistikës, të infrastrukturës që kanë nevojë të jenë shfrytëzues të këtyre mjeteve. Nuk ka nevojë të kushtëzohet me rritjen e përqindjes së prodhimit, kushtëzimi të jetë që në afatin e dedikuar të kthehen paratë.”, u shpreh afaristi Xhemail Dauti.
 
Nga ana tjetër parashtrohet pyetja sa mund që jo huamarrje të ndikojë në thellimin e borxhit publik? Ministrja e financave Gordana Koçovska Dimitrievska për servisin publik shprehet se ndikimi i kredisë mbi borxhin do të jetë minimal, pasi sipas saj edhe qeveria e kaluar kishte paraparë një euro-obligacion me të njejtën vlerë.
 
“500 milion kanë qenë të parapara nga ana e tyre për likuiditetin e buxhetit dhe e kanë planifikuar me euro-obligacion, të cilin nëse e shohim tregun do ta fitonim me diku 6% interes, kjo hua është me 3.5% interes, ashtu që shtypja mbi borxhin publik, borxhit shtetëror dhe deficitit buxhetor është i njejtë me atë që e ka planifikuar qeveria paraprake.”, u shpreh ministrja e financave Gordana Koçovska Dimitrievska.
 
Përmes kredisë, qeveria synon të rritë prodhimtarinë e kompanive, e që më pas ato jete të përfundojnë në arkën shtetërore dhe në mbulimin e deficitit buxhetor. (Gazetar: Ersan Pajaziti)
 
Me këtë kontribut, TVM2 i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit e zbaton në bashkëpunim me mediat në kuadër të projektit “Përdor faktet”.