Maqedoni

Incidenti në Gushincë, ekspertët: incidenti, tërheqje e vëmendjes

21.04.2015 17:31

Kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, nuk ka asnjë informacion për grupe të armatosura që, sipas MPB-së, kanë kryer sot incidentin në Likovë...

Asnjë nga banorët e kësaj komune nuk është ankuar ndonjëherë për grupe të armatosura, thotë Duraku.
 
Sipas tij, policia pasdite ka ardhur në fshatin Gushincë për të bërë ekspertizën e incidentit që ka ndodhur në stacionin policor që në orët e hershme të mëngjesit. Por, sipas tij, gjendja e sigurisë në rajonin e Likovës është e qetë.
 
“Lajmin e kemi dëgjuar nga portalet. Nuk ka pasur ndonjë vërejtje nga qytetarët se kanë parë grupe të armatosura të sillen këndej. Gjendja në Komunën e Likovës nuk është e tensionuar, qytetarët janë të qetë”- deklaroi kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.
 
Kanë reaguar edhe ekspertët e sigurisë. Ata besojnë se ngjarja e sotme mund të jetë përpjekje për tërheqjen e vëmendjes nga kriza politike.
 
Eksperti për çështje të sigurisë, Ivan Babanovski, në profilin e tij në Facebook ka hedhur poshtë insinuatat e MPB-së se sulmi është bërë nga shqiptarët. 
 
“Këtë skenar nuk e mbështesin pjesa më e madhe nga radhët e BDI-së. Përcillni këto ngjarje dhe gjeni vetëm një njeri në Maqedoni që do të besojë në këtë punë dhe lojëra qesharake”- shkruan në profilin e tij në FB eksperti për siguri, Ivan Babanovski.
 
Edhe opinionisti, Milazim Mustafa, thotë se ky incident i ngjan më shumë një ngjarjeje të fabrikuar se sa një sulmi të organizuar nga ndonjë formacion i uniformuar.
 
“Këtë incident të gjithë banorët e Kumanovës dhe Likovës e pritën të shqetësuar edhe pse ndoshta mund të pritej një incident i tillë, sidomos pas informimeve dhe lajmeve të cilat qarkulluan nëpër rrjetet sociale dhe mediat elektronike gjoja se partia maqedonase në pushtet do të tentojë të inskenojë ndonjë rast me qëllim që të shmang vëmendjen e publikut pas aferës së paraqitur me rastin e përgjimeve dhe ndoshta një teren i përshtatshëm për ta do të kishte qenë rajoni i Kumanovës dhe Likovës”- tha opinionisti, Milazim Mustafa.
 
Opinioni në Maqedoni po e merr me shumë rezervë incidentin e sotëm, por me më shumë me rezervë po pranohet deklarata e MPB-së se incidentin e ka bërë një grup i armatosur nga Kosova.
 
Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se kush qëndron në të vërtetë pas këtij incidenti dhe cilat janë shkaqet e vërteta të sulmit ndaj stacionit policor në Gushincë. 
 
BESIM ABDULLAI