Maqedoni
Lëvizja “Besa” dënon sulmin ndaj Stacionit Policor në Gushincë
21.04.2015 17:42
Lëvizja “Besa” e dënon ashpër sulmin ndaj Stacionit Policor në fshatin Goshincë dhe i fton të gjitha subjektet relevante vendore...

Lëvizja “Besa” e dënon ashpër sulmin ndaj Stacionit Policor në fshatin Goshincë dhe i fton të gjitha subjektet relevante vendore dhe ndërkombëtare për qetësimin e situatës dhe izolimin e grupeve destabilizuese.
“Lëvizja ‘Besa’ në këtë sulm vëren një inskenim të radhës për zhvendosjen e vëmendjes dhe krijimin e gjendjes së tensionuar që, në fund, kjo të kthehet në përfitim politik për subjekte të caktuara në Maqedoni, që kujtojnë se vetëm lufta është mjet për t’u instaluar, për të mbetur ose për t’u rikthyer në pushtet.Konsiderojmë se aksidentet e këtilla e rrezikojnë seriozisht gjendjen e sigurisë në vend dhe vetëm e thellojnë krizën aktuale politike.Maqedonia ka krizë politike dhe ajo duhet të zgjidhet vetëm me dialog politik, natyrisht me asistencë ndërkombëtare, ndërmjet subjekteve politike në vend, por jo vetëm të atyre maqedonase”. Më tej, “Besa” i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta marrë seriozisht këtë situatë dhe të ndihmojë që mos të ndodhë eskalim më i madh i gjendjes.
Sipas lëvizjes, destabilizimi i Maqedonisë nuk është në dëm vetëm për ne qytetarët e vendit, por për fat të keq, incidentet e këtilla implikojnë shpërthimin e vijës së zjarrit dhe rizgjimin e apetiteve historike, që në botën e re, me agjendë euro-integrimi mund të jenë të dëmshme dhe me përmasa të paparashikueshme për tërë rajonin.
