Maqedoni

VMRO dënon rastin në Gushincë, LSDM fajëson VMRO-në

21.04.2015 17:49

Dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, kanë dënuar sulmin e sotëm në Stacionin Policor në Gushincë të Komunës së Likovës...

Nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski, vlerëson se incidenti është skenar i përgatitur nga pushteti me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale. 
 
“Tentativa për të përfshirë Maqedoninë në konflikt etnik të paguar, drejtuar dhe iniciuar me vetëdije si skenarë për shmangien e pushtetit nga përgjegjësia penale, është akt tradhtar dhe antishtetëror i të gjithë të përfshirëve kundër popullit dhe shtetit të vetë. Skenari i paguar dhe i përgatitur mediatikisht i pushtetit për nxitjen e mostolerancës ndëretnike dhe shpikja e armiqve dhe sulmeve, janë përgjigjja dhe vendi i kërkimit të përgjegjësisë për gjithçka që ndodhë dhe që mund të ndodhë”- thotë nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski,.
 
Ndërkaq, VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim i dënon këto akte terroriste, të cilat, sipas saj, kanë për qëllim destabilizimin e Maqedonisë. VMRO fton institucionet që të zbardhin rastin.
 
“ VMRO-DPMNE e dënon ngjarjen e sotme terroriste në fshatin Gushincë. I ftojmë institucionet që në mënyrë të vendosur të veprojnë për zbardhjen e këtij rasti dhe ta sigurojnë ligjin, sigurinë dhe stabilitetin. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të mos lejojnë realizimin e skenarëve, qëllimi i të cilëve është destabilizimi i vendit dhe prishja e rendit dhe rregullit kushtetues”- thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Partia maqedonase në pushtet fton të gjithë bartësit politik, individët dhe partitë që në mënyrë të përgjegjshme të veprojnë në këto momente, të përmbahen nga manipulimet dhe të mos nxisin tensione për qëllime të ngushta partiake dhe personale. 
 
SHPËTIM NUREDINI