Maqedoni
Samiti për Ballkanin, diskutohen projektet infrastrukturore
21.04.2015 17:54
Projektet për zhvillim infrastrukturor, që duhet të realizohen deri në vitin 2030 në vendet e Ballkanit Perëndimor...

Projektet për zhvillim infrastrukturor, që duhet të realizohen deri në vitin 2030 në vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë qenë në fokusin e takimit midis delegacioneve të gjashtë vendeve të rajonit, Maqedonisë Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Takimi u zhvillua nën patronazhin e eurokomisarit, Johanes Han, dhe eurokomisares për transport, Violeta Bulc, në Bruksel.
“Qëllimi është që me këtë rrjet të lidhen kryeqytetet, zonat ekonomike dhe aeroportet në rajon”- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Han.
Maqedonia ka shfaqur interes të drejtpërdrejtë në realizimin e rrjetit kryesor rrugor të projektuar nga ana e BE-së, i cili përfshin Korridorin 10 dhe Korridorin 8.
“Te ne në Maqedoni janë përcaktuar korridori 8 dhe 10. Korridori 10 në pjesën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, ndërsa Korridori 8 në infrastrukturën rrugore dhe hekurudha në drejtim të Bullgarisë”- tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Në margjina të takimit në Bruksel, shefat e qeverive të vendeve të rajonit kanë mbajtur edhe takime bilaterale, me ç’rast kanë folur për projektet me rëndësi të përbashkët për rajonin.
Projektet më konkrete për të cilat Rama dhe Vuçiç dhanë mbështetjen e tyre të plotë janë autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin, si dhe autostrada Adriatiko-Joniane, që lidhë Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë.
Eurokomisari për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim, Johanes Han, në mbledhjen joformale të ministrave për Punë të Jashtme dhe Transport të vendeve nga rajoni, në takimin e fundit që u realizua në Prishtinë paralajmëroi se Komisioni Evropian është i gatshëm të ndajë një miliardë euro për përmirësimin e infrastrukturës në vendet e Ballkanit perëndimor.
NAIM RAMADANI
