Stano, qëndrimi i BE-së për urën nuk ka ndryshuar

20.08.2024 17:24

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano....

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëndrimi i BE-së për çështjen e urës nuk ka ndryshuar. Ai ka përsëritur se kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e urës është thënë qartë në ditët dhe javët e kaluara dhe u është komunikuar partnerëve në Prishtinë e është diskutuar gjerësisht me partnerët tjerë brenda BE-së, SHBA-në, NATO-n dhe KFOR-in. Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të re. Po ritheksoj që ka diskutime dhe ndërveprime që po vazhdojnë lidhur me këtë çështje, në linjë me qëndrimin e BE-së që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara duhet të shmangen e që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është pikëvështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës. Autoritetet e Kosovës do t’i bënin shërbim të mirë vetes dhe qytetarëve nëse do t’i dëgjonin mesazhet nga partnerët dhe aleatët”, ka deklaruar Stano.