Strugë, u mbajt ceremoni përkujtimore për ndarjen nga jeta të prof.dr Nuhi Vinca
Në përkujtim të ndarjes nga jeta të prof. Dr Nuhi Vinca...
Në përkujtim të ndarjes nga jeta të prof. Dr Nuhi Vinca, në Strugë u mbajt ceremoni përkujtimore, në të cilën morën pjesë të gjithë miqtë, të afërmit dhe bashkëpunëtorët nga Maqedonia e Veriut dhe më gjerë.
Ai ndërroi jetë më datë 9 korrik të këtij viti, në Prishtinë ku jetonte dhe vepronte. Në ceremoninë përkujtimore që u mbajt në Teatrin “Poshka” në Strugë, të pranishmit ndanë kujtime dhe nderuan jetën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme.
“Sot që jemi mbledhur këtu, po ndjehem që po performoj përpara teje duke pritur vlersimet dhe kritikat tuaja pas kësaj. Ne do vazhdojmë të nderojmë, duke provuar ti përmbushim kriteret tua jo vetëm në shfaqje e prezantime por edhe në veprimet tona dhe në jetën tonë të përditshme. Më mungon shumë, dhe sot kur shtëtis rrugët e Veleshtës, Strugës, Kaçanikut, Prishtinës dhe rrugëve të botës, përfytyroj dorën tënde duke më mbajtur, ajo dorë që ishte dora më e fortë për mua, duke shëtitur së bashku në ato rrugë.” – u shprej djali i Nuhi Vincës, Vegim Vinca.
“Në emër të shokve të mi që erdhën së bashku me mua nga Durrësi. Kur ka folur djali, mu kujtua një thënie, poetët jetojnë pas vdekjes, dhe mbi këtë mendim un kam përgatitur fjalën time të shkurtër. Nuk e di se cilat qenë fjalët e fundit të prof, Nuhiut, 40 ditë më parë, ppor duke nisur nga jetëgjatësia, vepra që na la dhe sidomos nga dashuria dhe respekti që njerzit kishin për atë veleshtar, kam bindjen se do ti shkonin më së miri fjalët e poetit, i cili kur po jepte frymën e fundit tha të gjithë miqtë e mi kanë ardhur por unë me afshin e zemrës time shikoj prandaj vdes i kënaqur. Dhe ai patjetër që u largua trupërisht nga kjo botë i kënaqur, pasi ashtu si Nuhiu, edhe ai mori me zemërgjerësi breza të tërë nxënësish, dhe lexuesish, gjë për të cilën ata do ti mbesin përherë mirënjohës.” – theksoi njëri nga mysafirët nga Shqipëria, prezent në ceremoninë përkujtimore të prof.dr Nuhi Vinca.
Prof. Dr Nuhi Vinca është i njohur si pedagog, poet dhe studiues e përkthyes letrash. Me veprën e tij “Dallgë Jugu” ai është i njohur si poeti i parë me vepër të botuar lirike në Strugë. Ka botuar mbi 20 vepra me poezi për fëmijë dhe të rritur të cilët janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme.
Dr Nuhi Vinca njihej edhe si një person i cili jetën e tij ia kushtoi edukimit dhe krijimtarisë, duke kontribuar në avancimin e arsimimit atëherë kur shqiptarët në rajon jetonin një periudhë të vështirë. (Ilmije Zhaku, TVM2)