Maqedoni

Vrasja ne afërsi të QT “Mavrovasja”, MPB: Po kërkohet personi i tretë

21.08.2024 15:33

Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitete për zbardhjen e veprës penale “vrasje”...

Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitete për zbardhjen e veprës penale “vrasje”, e cila ndodhi në parkingun e QT “Mavrovasja”. Sipas MPB janë kryer bastisje dhe kontrollime në më shumë lokacione, dhe janë arrestuar dy persona për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë autorë të veprës penale “vrasje”.
 
“Po ndërmerren masa dhe aktivitete për zbardhjen e veprës penale, e cila është kryer në parkingun e QT “Mavrovasja”. Masat dhe aktivitetet po vazhdojnë gjatë tërë ditës. Pas marrjes së denoncimet për të shtëna me armë zjarri në afërsi të QT “Mavrovasja”, gjatë së cilës ka qenë i qëlluar V.E. (59), i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, menjëherë janë ndërmarrë një mori i aktiviteteve operativo-taktike nga ana e nëpunësve policorë të SPB Shkup për gjetjen dhe privimin nga liria të autorëve të këtij akti. Janë kryer bastisje dhe kontrollime në më shumë lokacione dhe në automjete, kurse janë angazhuar edhe nëpunës policorë të Departamentit për Operacione Speciale Policore, helikopterë dhe dronë. Janë arrestuar dy persona për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë autorë të veprës penale “vrasje” e dënueshme sipas nenit 123 të KP-së, të cilët do të paraqiten para gjykatësit në procedurë paraprake pas zbardhjes dhe dokumentimit të rastit.”, thonë nga MPB.
 
Sipas MPB po ndërmerren masa për gjetjen e personit të tretë të dyshuar. Pas urdhëresave të marrura nga gjykatësi për procedurë paraprake janë kryer bastisje në katër lokacione për të cilat ekzistojnë indicie se kanë qëndruar personat e involvuar në këtë vepër penale. Sipas MPB gjatë kontrolleve janë gjetur një numër i mjaftueshëm i dëshmive materiale.  
 
Por për partinë opozitare maqedonase LSDM, ka thekësuar se vendi është shëndëruar në një vend të pa sigurtë, dhe kanë kërkuar nga MPB Pançe Toshkovski që të japë dorëheqje.
 
“Në pak muaj, vendi u kthye në Perëndim të Egër, një vend i pasigurt ku ndodhin vrasje në mes të ditës në qendër të kryeqytetit. Nga dje jemi të njohur për mediat e vendit për vrasjet që po na ndodhin, dhe për asgjë tjetër, dhe kjo është një situatë që është si rezultat i paaftësisë së MPB-së dhe Toshkovskit. Tashmë ka pasur 8 vrasje apo tentativa për vrasje që nga koha kur Toshkovski ishte ministër dhe vetëm një është zbardhur. Kjo i inkurajon autorët kur e dinë se nuk ka hetime efektive.”, tha zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska. 
 
Por për ish Kryeshefin e Policisë, Lubomir Gjuqevski, ky është vetëm një rast i izoluar, dhe se qytetarët nuk duhet të frikësohen për sigurinë e tyre.
 
“Nuk duhet të qytetarët aspak të frikësohen për sigurinë në vend, sepse treguesit e parë të kësaj qeverie kanë dhënë porosi të qarta se nuk do të ketë tregti me grupet kriminale, dhe se policia do ti ketë të drejtë ti përdorë të gjitha mekanizmat e lejuara me ligjë, dhe për këtë policia nuk duhet të ketë frigë në përdorimin e këtyre mjeteve. Pikërishtë rastet e fundit treguan se kemi polici të përgatitur, dhe se mund tju bënë ballë këtyre grupeve. Nga ana tjetër është e drejtë e opozitës që të kritikon.”, tha ish kryeshefi i policisë Lubomir Gjuqevski.
 
Personi i cili është ekzekutuar në afërsi të QT “Mavrovasja”, me iniciale V.E. (59), mësohet se ka qenë pronarë i një artarie në Qendrën e Shkupit, dhe se dyshimet e para thonë se motivi për kryerjen e kësaj vepre ka qenë grabitja e arrit, por tek viktima nuk është gjetur arri. MPB nuk ka dhënë detaje më të zgjëruara për këtë rastë, por vetëm kanë thekësuar se fjalën e fundit dhe motivet do të mësohen gjatë procedurës gjyqësore.  
 
FITIM KRYEZIU