Vlorë, mbi 5500 turistë vizituan muzeun kombëtar të Pavarësisë

21.08.2024 18:44

Nga Janari e deri në Korrik, mbi 5500 turistë vizituan Muzeun Kombëtar të Pavarësisë...

Nga Janari e deri në Korrik, mbi 5500 turistë vizituan Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, godina ikonë në Vlorë. Interesi është i lartë dhe gjatë muajit gusht, ku gjenden turistë të ardhur nga shtete të ndryshme të Evropës dhe shqiptarë të diasporës.

“Historia e Shqipërisë po me hyn në zemër. Shoh se është një vend që ka luftuar shume për lirinë, është vend i ri ende, ka nevoje te zhvillohet dhe zhvillimi do të ndodhë në të ardhme të afërt. Vendi juaj është një vend turistik por shpresoj të mos gaboni si ne, në Spanjë. Ju keni nevoje për një turizëm cilësor, jo sasior.”

“Është një vend shumë interesant, ka hapësirë ku të shkosh dhe jemi mjaftueshëm të kënaqur sepse kemi parë Beratin, Shkodrën, Tiranën, Lezhën dhe Durrësin deri më tani” – thanë disa nga vizitorët.

Kjo godinë dykatëshe, pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912, u bë selia e Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit për 14 muaj. Vite më pas u shpall Muze Kombëtar. Është i pajisur me dokumente të rëndësishme, fotografitë e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. Kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit.

Po ashtu, aty gjenden flamujt origjinal të çetave kryengritëse, libra origjinalë të rilindësve të asaj periudhe. (Luljeta Ndoka, TVM2)