Botë

Vuçiq takon ambasadorin rus, flasin për hapjen e urës kryesore në Mitrovicë

22.08.2024 17:07

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe mundësinë e si u tha “hapjes me forcë” të urës mbi lumin Ibër. 
 
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq shkroi se ka pasur “një bisedë të hapur dhe të sinqertë me ambasadorin Botsan-Kharchenko për të gjitha temat me interes për Serbinë dhe për Federatën Ruse, si dhe për qëndrimet e Serbisë në lidhje me zhvillimet aktuale gjeopolitike globale”. 
 
“Unë shpreha shqetësim të thellë për pasojat e mundshme që mund t’i ketë hapja me forcë e urës së Ibrit, si dhe për aktivitetet e tjera të planifikuara të regjimit të Prishtinës, të drejtuara kundër popullit serb në Kosovë”, shkroi Vuçiq. 
 
Presidneti serb po ashtu, e falënderoi Rusinë për mbështetjen e vazhdueshme diplomatike për Rezolutën 1244 të OKB-së, si garanci të vetme ndërkombëtare për, siç tha, mbijetesën e serbëve në Kosovë. Një ditë më herët në Beograd, Vuçiq diskutoi për të njëjtat tema me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, Boris Ruge. 
 
Qeveria e Kosovës, ka njoftuar që në mes të korrikut se synon ta hapë për qarkullim të automjeteve urën kryesore mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën. Por, shtetet e QUINT-it - SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia tani për tani nuk e mbështesin hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve, pasi kanë frikë nga tensionet e reja në Kosovë.
 
ARDITA RAMADANI