Botë

Gaza, sulme intensive përballë thirrjeve për armëpushim

22.08.2024 18:08

Izraeli kreu një sulm ajror në një hapsirë komanduese të Hamasit të vendosur në një shkollë në qytetin e Gazës....

Izraeli kreu një sulm ajror në një hapsirë komanduese të Hamasit të vendosur në një shkollë në qytetin e Gazës. Autoritetet palestineze kanë akuzuar se ka pasur viktima civile. Ndërkohë pas breshërisë së raketave të Hezbollahut, ushtria izraelite u kundërpërgjigj me sulme në disa lokacione në të gjithë Libanin.
 
Aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln” e shoqëruar nga oficerë të inteligjencës mbërriti në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan Biden zhvilloi një bisedë telefonike me Netanyahun për përpjekjet për de-përshkallëzimin në rajon pas deklaratave dhe një kërkese të re se ai nuk ka ndërmend të tërheqë trupat nga kufiri Gaza-Egjipt.
 
“Presidenti Biden foli me Kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar lidhur me armëpushimin dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve si dhe përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet rajonale.”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
 
Kryeministri izraelit Netanjahu thotë se është i gatshëm për çdo skenar.
 
“Ne jemi gati për çdo skenar – si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Forca Ajrore është grushti ynë i hekurt që di të godasë indet e buta të armiqve tanë. Ata e dëshmojnë këtë herë pas here, dhe nëse duhet - do ta provojnë përsëri,”, tha kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu.
 
Ndërkohë, shefi i zbulimit ushtarak të Izraelit dha dorëheqjen të mërkurën ndërsa mori përgjegjësinë për dështimin e mbrojtjes së kufirit në sulmin e 7 tetorit. 
 
BELINDA KOKA ADEMI