Botë

OKB ngre alarmin: Janë zhvendosur 90 përqind e banorëve të Gazës! Duhen mbrojtur civilët!

23.08.2024 13:31

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se urdhrat e evakuimit të lëshuara...

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se urdhrat e evakuimit të lëshuara me qëllim mbrojtjen e civilëve në Gaza, në të vërtetë po i rrezikojnë ata.
 
Ai ka deklaruar se civilët po detyrohen të lëvizin në zona që janë po njësoj të pasigurta, ndërsa shtoi se në vendet e shpërngulura tashmë atyre u mungon edhe aksesi në burime të nevojshme për mbijetesën siç është uji dhe produktet mjekësore.
 
Muhannad Hadi, koordinatori humanitar i OKB-së për territorin e pushtuar palestinez, shtoi se mes banorëve të shpërngulur po përhapen një numër i lartë sëmundjesh.
 
“Që nga fillimi i konfliktit në tetor, urdhrat e evakuimit të Izraelit në Gaza kanë zhvendosur 90% të 2.1 milionë banorëve të saj. Kishte 12 urdhra evakuimi vetëm në gusht që detyruan rreth 250,000 njerëz të lëviznin përsëri.
 
Ata po i detyrojnë familjet të ikin sërish, në një zonë gjithnjë në pakësim që është e mbipopulluar, e ndotur, me shërbime të kufizuara dhe, si pjesa tjetër e Gazës, e pasigurt.
 
Njerëzit po privohen nga aksesi në shërbimet thelbësore për mbijetesë, duke përfshirë objektet mjekësore, strehimoret, puset e ujit dhe furnizimet humanitare.
 
Furnizimi me ujë në Deir al Balah është ulur me të paktën 70% për shkak të mbylljes së pompave dhe impianteve të shkripëzimit të vendosura brenda zonave të evakuimit.
 
Një mungesë e madhe e klorit për dezinfektimin e ujit, me rezerva që pritet të zgjasin vetëm një muaj më shumë, po nxit sëmundjet, infeksionet e lëkurës, hepatitin A dhe tani poliomielitin.
 
Civilët janë të rraskapitur dhe të tmerruar, duke vrapuar nga një vend i shkatërruar në tjetrin, pa i parë fundi. Kjo nuk mund të vazhdojë.
 
Ajo që duhet të bëjmë është e qartë: Mbroni civilët, lironi pengjet, lehtësoni aksesin humanitar, bini dakord për një armëpushim!”, tha Muhannad Hadi, koordinatori humanitar i OKB-së për territorin e pushtuar palestinez.