Maqedoni
Kujt i takon ASh? Abazi: ASh u takon atyre që çuan BDI-në në opozitë
23.08.2024 15:15
Riaktualizohet debati rreth asaj se kujt i takon Aleanca për Shqiptarët....

Riaktualizohet debati rreth asaj se kujt i takon Aleanca për Shqiptarët. Eksponentët e ASh-së, krahu i Arben Taravarit njoftuan se ende nuk kanë marrur përgjigje në lidhje me ankimimin e tyre në Gjykatën e Apelit për atë se kujt i takojnë vulat e partisë. Mirëpo nga aspekti etik, Bujare Abazi tha se Aleanca për Shqiptarët i takon atyre që e çuan BDI-në në opozitë.
“Ne nuk kemi persona të instaluar në sistemin gjyqsor këtu në RMV. Informatat i marrin vetëm kur vijnë me shkrim. Kështu që nëse të tjerët kanë ndonjë informatë dhe nuk u pëlqen vendimi dhe shprehin paknaqësite e tyre, ne nuk e dimë, mirëpo unë ende nuk kam pranuar në zyrën time një vendim nga Gjykata e Apelit – Gostivar.”, tha avokati i ASh-së së Taravarit, Abedin Abdyli.
“ASH i takon atyre që ju përmbajtën idesë për çka fillimisht u formuar si parti dhe i shtynë idealet deri në momentin kur ne BDI-në e dërguam në opozitë.”, Bujare Abazi nga ASh krahu i Taravarit
ASh e Selës: Aleanca nuk i takon VMRO-së
Krahu i Selës kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave duke thënë se Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së, kurse thanë se delegatët e Kongresit ku morrën pjesë mbi dy të tretat kanë legjitimuar Ziadin Selën për Kryetar të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa këtë vendim e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Tetovë.
“Vonesat në Gjykatën e Apelit, deklaratat e paradokohshme të Arben Taravarit se tani "ka ndryshuar situata" duke aluduar në hyrjen e tyre në Qeveri dhe trumbetimet e tij se do të ndryshojë vendimi i shkallës së parë, forcon dyshimet për presione mbi Gjykatën e Apelit. Sa i takon aspektit moral që dëgjuam sot nga uzurpatorët, Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së, as atyre që ju dorëzuan VMRO-së. I rikujtojmë se misioni i Aleancës për Shqiptarët është mbrojtja e shqiptarëve nga nënçmimi, degradimi dhe poshtërsimi, mosnënshtrimi ndaj partive maqedonase dhe avancimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet në reagimin e ASH-së krahut të Ziadin Selës, duke shtuar se pas Ziadin Selës janë reshtuar shumica dërmuese e themeluesve dhe anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët.
ERSAN PAJAZITI
