Botë

Takimi historik, kryeministrit Kurti me drejtorin e CIA-s Burns

23.08.2024 15:35

Pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me drejtorin e CIA-s, William Burns...

Pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me drejtorin e CIA-s, William Burns, Zyra e Kryeministrisë e ka cilësuar vizitën si një moment historik për marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së. Në njoftimin e lëshuar për media theksohet se kjo vizitë pasqyron angazhimin për avancimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe inteligjencës, duke vënë në pah marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme mes dy shteteve. 
 
“Vizita e drejtorit Burns përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet tona, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, shkruhet në njoftim. 
 
Gjatë ditës së djeshme Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. Presidentja Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se aleanca me Shtetet e Bashkuara është garanci për siguri, paqe e sukses.
 
“Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns. Aleanca me Shtetet e Bashkuara është garanci për siguri, paqe e sukses”, shkruan ajo në Facebook. 
 
LEONORA KALIQI