Mickoski: Ata që kanë milliona, kanë interes për destabilizim
Ata që dëshirojnë ta destabilizojnë shtetin...

Ata që dëshirojnë ta destabilizojnë shtetin janë më të fuqishëm kur ka jostabilitet, ndërsa demokracia nënkupton institucione stabile dhe do të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë këto institucione.
Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur nëse ende i qëndron qëndrimit që ka shprehur më herët se ka njerëz që punojnë për destabilizimin e shtetit.
“Informacionet për destabilizim janë të atilla çfarë janë. Të gjithë ata që u bënë milionerë dhe qeverisnin në 7 vitet e fundit, kanë interes ta destabilizojnë shtetin për shkak se janë më të fuqishëm kur ka jostabilitet. Por ne si shtet dhe si qeveri do të luftojmë për shtet stabil dhe institucione stabile për shkak se demokracia nënkupton institucione stabile dhe do të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë institucionet” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Gashi: BDI-ja nuk ka potencial për destabilizim
Ndërsa sa i përket pretendimeve të kryeministrit Mickoski se BDI po përgatit destabilizimin e shtetit në vjeshtë, për të mbrojtur kapitalin e fituar në 20 vitet e fundit në pushtet, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në një intervistë për gazetën “Fokus”, u shpreh se këto kërcënime të BDI-së janë pasqyrim i ankthit të të qenit opozitë.
Sipas tij BDI-ja aktualisht po përballet me sfida të mëdha, veçanërisht rrezikun e humbjes së një pjese të anëtarësisë dhe aftësisë për të funksionuar efektivisht brenda koalicionit të Frontit Evropian.
“Kërcënimet e fundit publike të individëve të caktuar nga Fronti Evropian janë më shumë një pasqyrim i ankthit të tyre pasi u bënë opozitë sesa si një subjekt që ka potencial për të destabilizuar vendin. Deklaratat e tyre duket se janë të nxitura nga frika e humbjes së ndikimit dhe jo nga një lëvizje e llogaritur për të shkaktuar jostabilitet”, ka deklaruar Afrim Gashi.
Mickoski më herët u shpreh se ka persona që kanë milionat dhe një pjesë e tyre janë ish-funksionarë të lartë të cilët përpiqen të mobilizojnë njerëz në teren për destabilizim të vendit dhe destabilizim të harmonisë ndëretnike. (Ardita Imeri, TVM2)
