Hezbollahu lëshon 320 raketa drejt Izraelit, Netanyahu shpall gjendje të jashtëzakonshme

25.08.2024 15:47

Një përshkallëzim i ri në Lindjen e Mesme...

Një përshkallëzim i ri në Lindjen e Mesme. Hezbollah lëshoi mbi 320 raketa dhe dronë në Veri të Izraelit dhe Lartësitë Golan si hakmarrje për atentatin ndaj komandantit të tyre në Beirut muajin e kaluar. Forcat izraelite u përgjigjën me bombardime në jug të Libanit me rreth 100 avionë ushtarakë izraelitë dhe shpallën gjendje të jashtzakonshme.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore, anijet dhe avionët kanë një mision të mbrojnë qiellin dhe tokën, të identifikojnë dhe kapin kërcënimet dhe të godasin kudo në Liban, për të eliminuar kërcënimet nga Hezbollahu”.

 “Kur thamë se do të bënim gjithçka që ishte e nevojshme për të mbrojtur qytetarët, e kishim parasysh këtë”

“Mbrojtja eliminoi shumë kërcënime të tjera dhe veproi me fuqi të madhe. "Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur vendin tonë, për t'i kthyer banorët e veriut të sigurtë në shtëpitë e tyre dhe të vazhdojmë të respektojmë rregullin e thjeshtë: kushdo që na lëndon, ne e lëndojmë atë" – tha Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kreu i Pentagonit konfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Izraelit. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti amerikan Biden po ndjek nga afër zhvillimet.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Izraelit ka njoftuar rifillimin e fluturimeve drejt dhe nga aeroporti Ben Gurion pas një pezullimi të shkurtër të operacioneve.

“Shpresoj për një rezultat të mirë, shpresoj të arrijmë në aeroplan, na ndaluan në check-in” – tha një pasagjer.

"Më mirë vonë se kurrë." “Për mendimin tim, goditja parandaluese është dashur të bëhet në fillim të luftës, pa pritur që të evakuohen të gjithë banorët e veriut” – u shpreh një tjetër pasagjer.

Përpara bisedimeve të nivelit të lartë në Kajro për një armëpushim të mundshëm të ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti dhe Katari, protesta të reja në Tel Aviv për kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

“Netanyahu dështoi më 7 tetor dhe më pas me kthimin e të rrëmbyerve. Largojeni nga posti dhe caktoni një person që do të mund të kthejë pengjet”.

“Ne nuk do të jemi një vend në të cilin ekstremistët sundojnë dhe detyrojnë një shumicë të shëndetshme të sakrifikojë jetën e qytetarëve” – u shprehën disa nga protestuesit.

Pika e kontestuar për armëpushim ndalimin vazhdon të mbetet korridori Filadelfia, kufiri midis Egjiptit dhe Gazës. Uashingtoni pohon se bisedimet kanë avancuar, ndërsa autoritetet izraelite kanë pranuar një tërheqje të pjesshme të trupave nga zona. (Ardita Imeri, TVM2)