9 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë, 5 të vrarë nga bombardimet e Kievit në Belgorod
Së paku nëntë njerëz janë plagosur në rajonet Harkiv dhe Donjeck të Ukrainës...

Së paku nëntë njerëz janë plagosur në rajonet Harkiv dhe Donjeck të Ukrainës, pasi forcat ruse kryen sulme me disa raketa dhe dronë gjatë natës, njoftuan autoritetet lokale të dielën.
Në anën tjetër, autoritetet ruse raportuan se pesë civilë rusë u vranë si pasojë e granatimeve ukrainase në rajonin Belgorod të Rusisë.
Oleh Sinehubov, guvernator i rajonit të Harkivit, tha se një vajzë 4-vjeçare është në mesin e shtatë të plagosurve nga sulmi i fundit në rajonin verilindor të Ukrainës. Një tubacion gazi dhe 10 shtëpi u dëmtuan dhe dy shtëpi u shkatërruan si pasojë e sulmit, tha Ihor Terekhov, kryetar i qytetit të Harkivit.
Dy gazetarë u plagosën nga një sulm gjatë natës në një hotel në qytetin lindor Kramatorsk, ndërsa një tjetër është zhdukur në gërmadha, tha Vadym Filashkin, kryetar i qeverisë rajonale të Donjeckut.
Ai tha se gazetarët janë shtetas të Britanisë, SHBA-së dhe Ukrainës, përkatësisht.
Ai shtoi se kërkimet për gjetjen e gazetarit të zhdukur janë duke vazhduar.
Kramatorsk, rreth 20 kilometra larg vijës së frontit të luftës, është qyteti i fundit i madh në rajonin e Donbasit që kontrollohet ende nga Ukraina.
Rusia lëshoi disa dronë dhe raketa gjatë natës në rajonet veriore dhe lindore, por kundërajrorët ukrainas i shkatërruan shumicën e tyre, para se ato ta arrinin synimin, thanë autoritetet ukrainase.
