Maqedoni
Ndryshime në komisionin e përzier, Mickoski: Nuk ka qenë mbrojtës i interesave të RMV-së
26.08.2024 15:51
Komisioni i përzier maqedono-bullgar do të pësojë ndryshime kadrovike...

Komisioni i përzier maqedono-bullgar do të pësojë ndryshime kadrovike, sepse nuk i arsyetoi pritjet dhe nuk ka qenë mbrojtës i interesave nacionale të popullit të RMV-së, paralajmëron kryeministri, Hristian Mickoski. Sipas tij, komisioni nuk ka dhënë asnjë rezultat dhe prandaj është i nevojshëm dialog i ri me Qeverinë bullgare për punën e komisionit.
“Jo, prapavijë politike nuk ka. Është normale se kjo qeveri e re, njerëzit e rinj që e drejtojnë qeverinë e re, të ketë edhe ndryshime kadrovike. Nuk shikojmë këtu çka është e tmerrshme. Personalisht nëse më pyesni mua mendoj se komisioni i përzier aktual absolutisht nuk i arsyeton dhe nuk ka qenë mbrojtës i interesave nacionale të popullit të RMV-së. Ndryshe, po – është logjike kur keni qeveri të re të ketë edhe ndryshime në institucione të caktuara, nuk shikoj këtu pse do të kishte politikë.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
Komisioni maqedono-bullgar, Angelov: S’ka negociata për diçka që veç më është dakorduar
Por, ambasadori bullgar, Angellov nuk është i të njëjtit mendim si Mickoski. Sipas tij, nuk mund të ketë negociata për diçka që tashmë është rënë dakord.
“Ne kemi thënë tashmë se çfarë duhet bërë. Sigurisht që tani kemi zgjedhje, zgjedhjet do të jenë më 27 tetor dhe shpresojmë që të formohet një Qeveri, e cila do të mund të hyjë në një dialog intensiv. Sigurisht që jo negociata, nuk mund të ketë negociata për diçka që tashmë është rënë dakord. Siç është rënë dakord, ashtu duhet të respektohet dhe përmbushet. Ne nuk do të ndryshojmë gjeografinë dhe do të mbetemi fqinjë që do të kemi bashkëpunim intensiv.”, - theksoi ambasadori i Bullgarisë në RMV, Angell Angellov.
Komisioni përbëhet nga historianë dhe profesorë nga të dyja vendet dhe është krijuar si rezultat i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, bashkëpunim dhe miqësi ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë në vitin 2017.
SANIJE DURAKU
