Maqedoni

Universiteti i Tetovës, fillon procesi i regjistrimit të studentëve

26.08.2024 16:31

Në Universitetin e Tetovës filloi procesi i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2024/25....

Në Universitetin e Tetovës filloi procesi i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2024/25. Gjatë këtij afati, studentët kanë pasur mundësi të regjistrohen edhe nëpërmjet sistemit onlajn të platformës së universitetit, e cila ka qenë funksionale. Deri tani, në të gjitha programet studimore janë regjistruar rreth 1.000 studentë të rinj, thotë rektori i këtij universiteti, Jusuf Zejneli.
 
“Gjithë të rinjtë të cilët janë të interesuar të studiojnë në njërin nga fakultetet, përkatësisht programet studimore në UT, këtë kanë mundur ta bëjnë edhe onlajn. Me stafin, zyrën për anësim kanë përcjellë këtë proces edhe gjatë kohës së pushimeve verore. Numri i aplikimeve është shumë i lartë deri më tani. Numri i aplikimeve është afro 1.000, vetëm përmes sistemit onlajn. Mirëpo nga dita e sotme fillon me dorëzimin fizik të dokumenteve përkatëse në hapësirat e universitetit tonë. Ne jemi të lumtur që të rinjtë zgjedhin njërin nga programet studimore, i besojnë stafit udhëheqës menaxhues, profesorë, administratës sonë, të cilët janë të angazhuar gjatë këtij procesi.”, - deklaroi rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli.
 
Afati i parë i regjistrimit zgjat deri më 30 gusht të këtij viti. Nga Zyra për arsim e Universitetit të Tetovës njoftojnë se në 13 njësitë akademike të Universitetit të Tetovës, në të gjitha programet studimore, ka  akoma vende të lira dhe kandidatët kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ndonjërin prej këtyre programeve edhe në afatet tjera të regjistrimit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU