Botë

Nuk arrihet marrëveshje në Kajro, vazhdojnë luftimet në Gazë

26.08.2024 16:56

Kanë përfunduar pa marrëveshje negociatat në Kajro për t'i dhënë fund luftës në Gazë, derisa luftimet ende vazhdojnë....

Kanë përfunduar pa marrëveshje negociatat në Kajro për t'i dhënë fund luftës në Gazë, derisa luftimet ende vazhdojnë. Hamasi hodhi poshtë kushtet e reja izraelite, ndërsa pikë kryesore e mosmarrëveshjes është prania e Izraelit në të ashtuquajturin Korridor të Filadelfisë, përgjatë kufirit jugor të Gazës dhe Egjiptit. Frika për rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme po rritet pasi Izraeli dhe Hezbollahu bombarduan njëri-tjetrin. 
 
"Jemi  të shqetësuar për shkak se konflikti mund të përshkallëzohet në një luftë rajonale gjithëpërfshirëse që nga 7 tetori dhe kemi punuar gjatë gjithë kohës me partnerët dhe aleatët. Vazhdojmë të punojmë për të parandaluar një rezultat të tillë dhe shpresa jonë është që ngjarjet e natës së kaluar të mos eskalojnë në një luftë rajonale.”, - deklaroi këshilltari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Xhek Salivan. 
 
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se Hezbollahu nuk ka arritur të sulmojë asnjë bazë ushtarake, derisa mijëra raketahedhës të grupit militant u shkatërruan në më shumë se 40 vende.
 
“Vetëm javën e fundit kemi eliminuar rreth 30 terroristë, duke përfshirë komandantët e Hezbollahut. Rreth 90% të objektivave ishin raketa me rreze të shkurtra veprimi që synonin veriun e vendit. Ne e kemi zbuluar Hezbollahun prej javësh me mjete teknologjike dhe patrulla ajrore me avionë të Forcave Ajrore. Zbuluam se ata synonin të kryenin sulme dhe i eliminuam shumicën e tyre.”, - theksoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.
 
Pas një sulmi masiv me raketa në veri të Izraelit dhe në lartësitë e Golanit, lideri i Hezbollahut dëshmon se sulmi hakmarrës ndaj Izraelit për vrasjen e një prej komandantëve të tij ka përfunduar.
 
“Pretendimet e armikut se ata goditën raketa strategjike balistike, se shpëtuan Tel Avivin së bashku me objektet e tjera jetike dhe shkatërruan këto raketa janë të gjitha gënjeshtra. Ne nuk kishim ndërmend t'i përdornim këto raketa tani, por mund t'i përdorim ato në të ardhmen.”, - u shpreh lideri i Hezbollahut, Hasan Nasrallah. 
 
Hezbollahu ka kryer sulme ndaj objektivave izraelite që nga fillimi i luftës në Gazë më 7 tetor. Grupi thotë se do të ndalojë bombardimet në momentin që arrihet një armëpushim.
 
LEUNORA KALIQI