Botë
Ukrainë, sulmi më i madh rus që nga fillimi i luftës
26.08.2024 17:17
Viktima dhe të plagosur gjatë sulmit më të madh rus që Ukraina e përjetoi nga fillimi i luftës....

Viktima dhe të plagosur gjatë sulmit më të madh rus që Ukraina e përjetoi nga fillimi i luftës. Sirenat e rrezikut u dëgjuan në 15 rajone, derisa shpërthime kishte në Kiev, Kharkiv, Odesa, Zaporizhja.
“Sapo arritëm në strehimore dhe dëgjova shpërthim. Kam lexuar në grupin e Viberit se fqinji ynë është vrarë nga predha.”, - tha një banor.
Në Zaporizhja u dëmtua një objekt i infrastrukturës energjetike. Pas shpërthimeve në Kiev, nuk ka energji elektrike dhe ujë, ndërsa njerëzit u strehuan në metro nën qytet.
“Shkova në punë kur ranë sirenat dhe qëndrova këtu të pres.”, - tha një banor.
“Kjo luftë nuk mund të mbahet më. Jetojmë në tension të madh.”, - tha një banor tjetër.
Një anëtar i ekipit të reporterëve të Rojters u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë nga një raketë ruse që goditi gjithashtu një hotel në Kramatorsk, konfirmoi agjencia e lajmeve. Zelenski ka deklaruar se në sulm janë hedhur mbi 100 raketa dhe po aq dronë. Ai i bën thirrje aleatëve që të bashkohen dhe t'i japin fund kësaj lufte, duke i kërkuar Perëndimit të lejojë Kievin të përdorë armët e tij me rreze të gjata.
"Nëse uniteti funksionon kaq mirë në Lindjen e Mesme, ai duhet të funksionojë edhe në Evropë. Jeta kudo ka të njëjtën vlerë. Nuk mund të ketë kufij në Ukrainë kur terroristët nuk kanë kufij të tillë. Mbrojtësit nuk mund të kenë armë të kufizuara kur Rusia përdor armët e veta të të gjitha llojeve dhe raketat balistike nga Koreja e Veriut. Amerika, Britania, Franca dhe partnerët e tjerë kanë fuqinë për të na ndihmuar të ndalojmë terrorin. Ne kemi nevojë për zgjidhje.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Pas breshërisë së ashpër ruse u aktivizuan mbrojtja ajrore polake dhe e NATO-s.
“Radarët tanë ishin në gatishmëri të plotë kur kufiri ynë ajror u shkel nga pala ukrainase. Ne ishim gati të rrëzonim objektin, por nuk patëm konfirmim vizual dhe më pas ai humbi nga radarët tanë.”, - theksoi zëdhënësi i Komandës Operacionale të Ushtrisë Polake, Jacek Goriszevski.
Në të njëjtën kohë, mbetjet nga dronët e lëshuar nga Ukraina, që synonin rajonin e Saratovit të Rusisë, dëmtuan disa shtëpi. Kremlini përsëriti qëndrimin e tij se Moska do t'i përgjigjet inkursionit ukrainas në Kursk, ndërsa luftimet vazhdojnë. Nga ana tjetër, MPJ-ja e Ukrainës tha se Bjellorusia po mbledh trupat, armët dhe tanket e saj në kufirin me Ukrainën.
LEUNORA KALIQI
