Botë
Tirana mirëpret Konferencën e Ambasadorëve në mbarë botën
26.08.2024 17:41
Për tre ditë rresht, Tirana mirëpret Konferencën e ambasadorëve dhe përfaqësive diplomatike në mbarë botën.....

Për tre ditë rresht, Tirana mirëpret Konferencën e ambasadorëve dhe përfaqësive diplomatike në mbarë botën. Në hapje, kryeministri Edi Rama foli për rolin proaktiv që ka Shqipëria në politikën e jashtme dhe transformimin, që sipas tij është historik.
“Transformim historik i Shqipërisë e kush thotë të kundërtën injoron faktet apo më keq akoma lufton me faktet si në planin e brendshëm, atë të shtetndërtimit demokratik. Progresi i kësaj kohe është i dukshëm dhe i përshëndetur botërisht. Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka luajtur rol kyç në këtë kohë transformuese e duhen shtyrë edhe më tutje.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Komiteti politik evropian që pritet të mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm, por edhe përpjekjet për Samitin e NATO-s, sipas kryeministrit janë prova më e qartë e pozitave më të forta që ka Shqipëria.
“Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mirëpresë liderët e 44 shteteve evropiane nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi, vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik evropian. Po ashtu ky respekt, besim e prestigj na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027. Gjëra që ju i dini më mirë se unë që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë. Që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e t’i besoheshin të tilla role. Ndërkohë kemi pasur dhe kryesimin e OSBE-së.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa ministri i Jashtëm Igli Hasani foli për ligjin e ri të shërbimit të jashtëm, që sipas tij, do t'i japë një energji të re diplomacisë shqiptare.
LULJETA NDOKA
