Maqedoni

Mexhiti: Qeveria vendosi të vazhdojë përmendoren e Nënë Terezës, që është simbol i jonë

26.08.2024 21:01

Me një koncert të muzikës klasike u shënua përvjetori i 114 i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës....

Me një koncert të muzikës klasike u shënua përvjetori i 114 i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.   Gonxha e Shkupit, e njohur botërisht si Nënë Tereza paraqet një figurë të lartë të humanistes, me vet faktin që personaliteti i saj sot njihet dhe nderohet nga secili popull në rruzullin tokësor tha zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti. Ai gjithashtu njoftoi se në sheshin kryesor të kryeqytetit do të vendoset përmendorja e Nënë Terezës. 
 
“Për mua si shkupjan, është fakt dhe kënaqësi që jam shkupjan, që kam lindur dhe jam rritur jo larg lagjes ku ka lindur dhe është rritur Gonxha jonë, që kam mundur të takoj e të njoh familjarët e të afërmit e saj dhe përmes tyre të arrij ti kuptoj edhe më mire madhështinë e Gonxhes, njerzillëkun e pashoq që barte me vete ajo gura. Sot poashtu vendosëm si qeveri ta vazhdojmë dhe ta përfundojmë përmendoren në sheshin kryesor “Maqedonia”, të vendoset si shenjë e simbol i Shkupit të vjetër dhe elementit tone në atë shesh.”, u shpreh zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti.
 
Parapraksiht edhe ITSHKSH organizoi manifestimin për nder të ditëlindjes së Nënë Terezës, ku drejtori i këtij instituti Skender Hasani tha se edhe përkundër faktit që Nënë Tereza afirmimin ndërkombëtar e kishte shumë larg vendlindjes së saj, kjo nuk ndikoi që ajo të harronte prej nga kishte ardhur. 
 
“Për shën Nënë Terezën kanë folur e shkruar mijëra njerëz, qofshin ata autor veprash apo personalitete të ndryshme. Për këtë grua të madhe më së paku kanë folur dhe shkruar njerëzit nga vendi dhe origjina e saj. Jo pse kanë treguar mangësi respekti ndaj saj, por sepse zakonisht për figurat e mëdha siç ishte ajo, vlerësimet më të gjithanëshme vijnë nga hapësira të ndryshme të globit.”, deklaroi drejtori i ITKShShM-së, Skender Hasani.
 
Në 114 Vjetorin e lindjes së Nobelistes Nënë Terezë edhe në Komunën e Çairit u promovua edhe emri i ri i rrugës “Nënë Tereza” që deri tani quhej “Hristijan Todorovski Karposh”.
 
ERSAN PAJAZITI