Maqedoni

Interpelanca e kryeparlamentarit, më 3 shtator, Gashi: Mundësi për të ballafaquar argumentet

27.08.2024 12:52

Interpelanca e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, do të jetë pika e parë e rendit të ditës së seancës parlamentare...

Interpelanca e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, do të jetë pika e parë e rendit të ditës së seancës parlamentare, e cila do të mbahet më 3 shtator. Kryeparlamentari Gashi tha se kjo do të jetë një mundësi e mirë për të ballafaquar argumentet dhe në këtë mënyrë opinioni të njoftohet më hollësisht me çështjet për të cilat është iniciuar interpelanca.
 
“Jam i lumtur që opinioni do të dëgjojë argumentet e të gjitha palëve dhe në fund plenumi apo shumica parlamentare do të vendosë se çfarë është më e drejtë, më e mirë dhe çfarëdo që të jetë më e drejtë dhe si do që të vendos shumica unë do ta pranoj me kënaqësi.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Sa i përket rastit të incidentit me presidenten e Kosovës në aeroportin e Shkupit, Gashi tha se i vjen mirë që intervenimi i tij përmes sigurimit ka shmangur një incident që mund të kishte pasoja më të mëdha. Përgjigje dha edhe në lidhje me shkuarjen e tij në një dasmë në Kosovë me veturë zyrtare. 
 
“Sipas ligjit dhe dekretit të Qeverisë, unë jam i detyruar që si kryetar i Kuvendit, ngado që të lëviz, të lëviz me veturë zyrtare. Unë nuk do të doja ajo të ishte ashtu, secili dëshiron që sado pak të ketë jetë private, unë jetë private nuk kam aspak. Kështu që për fat të keq, unë duhej që edhe në ngjarje private të udhëtoj me veturë zyrtare.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. 
 
Përndryshe, kërkesën për interpelancën e kryetarit të Kuvendit e dorëzuan gjashtë deputetë të “Së Majtës” duke theksuar se Gashi që nga fillimi i emërimit të tij punon në mënyrë të pabindur, joprofesionale dhe të pandërgjegjshme. Kryeministri Mickoski është deklaruar se partia e tij VMRO-DPMNE nuk do ta mbështesë interpelancën, kurse LSDM-ja do të ketë koordinim gjatë javës për të vendosur nëse do të votojnë për shkarkimin e kryeparlamentarit Gashi. 
 
ERSAN PAJAZITI