Dy zjarre aktive në vend, QMK: Punojmë për t’i shuar në Çashkë dhe Studeniçan
Gjithsej 25 zjarre aktive, 21 të shuara...

Gjithsej 25 zjarre aktive, 21 të shuara, dy duke u mbajtur nën kontroll dhe dy të tjera aktive. Ky është bilanci i 24 orëve të fundit nga zjarret në vend.
Zjarre aktive, por jo me intensitet aq të madh ka në fshatin Stepenci në komunën e Çashkës dhe në fshatin Cërvena Vodë në komunën e Studeniçanit.
Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë, ndërmarrjeve komunale dhe vullnetarëve me helikopterë dhe aeroplanë po intervenojnë vazhdimisht nga ajri dhe toka për t’i shuar të gjitha këto zjarre.
“Shtabi kryesor për menaxhim me krizat pranë QMK-së përpiloi plan të ri operativ të veprimit sa i përket shuarjes së zjarrit në komunën e Çashkës, ku praktikisht po veprojmë në terren me gjithsej 25 pjesëtarë të armatës, të MPB-së, si dhe me një helikopter dhe një aeroplan. Një pjesë më e madhe e zjarrit në fshatin Cërvena Vodë në komunën e Studeniçanit ndodhet në terren jo të qasshëm, ku këtu do të duhet të veprojmë nga ajri, ndërsa tek pjesa tjetër e zjarrit ku ka qasje, aktualisht ndodhen rreth 10 të punësuar të “Pyjeve të Maqedonisë”, ku ata mbajnë nën kontroll zjarrin që të mos përhapet më shumë.”, - deklaroi udhëheqësi i sektorit për operacion dhe koordinim – QMK, Goran Stojanovski.
Nën kontroll të tërësishëm janë vënë të gjitha zjarret në komunën e Kërçovës, Ohrit, Demir Hisarit, Çuçer Sandevës, Shuto Orizarës, Ilindenit, Gostivarit, Vrapçishtës, Bërvenicës, Radovishit, Makedonski Brodit, Strugës, Nagorçanit të Vjetër, Shtipit, Berovës, informojnë nga QMK-ja.
Deri në këto momente ende nuk dihet saktë se sa është dëmi material nga shpërthimi i zjarreve masive të cilët kapluan vendin dy muajt e fundit.
QMK-ja ka filluar të bëjë përllogaritjet, mirëpo shpallja e të dhënave sipas të gjitha gjasave do të bëhet pas përfundimit të gjendjes së krizës, që skadon më 12 shtator. (Rexhep Qamili, TVM2)
