Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Na duhet komunikim me Sofjen
27.08.2024 15:00
Qeveria do të punojë me përkushtim drejt zhbllokimit të procesit eurointegrues...

Qeveria do të punojë me përkushtim drejt zhbllokimit të procesit eurointegrues, por problemi zgjidhet vetëm duke pasur partner komunikimi me fqinjin lindor, thotë kryeministri Mickoski, duke përkujtuar pritjen disavjeçare sipas të cilit ndodhi si pasojë e kërkesave joparimore ndaj shoqërisë sonë dhe politikës së brendshme korruptive.
“Do të punojmë me përkushtim në këtë agjendë, por nga ana tjetër duhet të kemi partner me të cilin mund të komunikojmë. Më 28, 29 tetor nëse nuk gaboj, atje janë caktuar zgjedhjet. Deri atëherë kanë qeveri teknike. Pastaj mendoj se do të ketë qeveri politike dhe shpresoj se me atë qeveri politike do të mund të ulemi në tavolinë dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët me të cilën do të tërhiqet bllokada që si shtet dhe shoqëri e kemi me dekada dhe do të mund të vazhdojmë drejt procesit eurointegrues.”, - deklaroi kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski.
Gashi: Do ta fuqizojmë rolin si Kuvend
Rol më aktiv lidhur me eurointegrimin do të zhvillojë edhe shtëpia legjislative, pohon edhe i pari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Siç dihet, Parlamenti është vendi ku do të duhet të ndodhin edhe realisht ndryshimet kushtetuese, por zgjidhja e problemit konsiston që kjo çështje do të duhet të përfshijë më shumë pjesë, më shumë palë, ka të bëjë me shtetin fqinj, me Bashkimin Evropian dhe derisa nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete ne nuk mund ta fillojmë këtë procedurë, por politikisht po punojmë që sa më shpejt të ketë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët dhe përfundimisht të fillojë procesi në Parlament.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Murtezani: Presim angazhim gjithëpërfshirës
Edhe drejtuesi i resorit integrues, Orhan Murtezani, potencon se problemet kushtetuese kërkojnë angazhim shumëpalësh.
“Vlerësoj se për problemet e ndryshimeve kushtetuese të cilat gjithsesi nuk varet vetëm prej nesh, do të gjendet zgjidhje e cila definitivisht do ta zhbllokojë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.”, - u shpreh ministri i Eurointegrimeve, Orhan Murtezani.
Qeveria pret që në Bullgari të mbahen zgjedhjet në tetor dhe të formohet qeveri politike, me të cilën mund të hapet dialogu për këtë kontest, i prirë nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
