Kulturë

Blerjet e ish-ministres së Kulturës në Londër, Lutkov: Një grup pune do të kontrollojë shpenzimet

27.08.2024 15:15

Një grup pune në kuadër të Ministrisë së Kulturës do të kontrollojë nëse ish-ministrja Kostandinovska-Stojçevska, valixhet...

Një grup pune në kuadër të Ministrisë së Kulturës do të kontrollojë nëse ish-ministrja Kostandinovska-Stojçevska, valixhet, arushat pelushi, topin e futbollit, çorapet dhe getat i ka blerë me para private apo të shtetit. Ministri i Kulturës, Lutkov, e akuzon paraardhësen e tij për keqpërdorime, jo vetëm në sferën e shpenzimit të parasë publike dhe kartës zyrtare, por edhe për veprime të kundërligjshme në fushën e investimeve kapitale.
 
“Atje ka raport se çka është harxhuar dhe si është shpenzuar. Një grup pune është formuar për të zhbllokuar proceset për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sepse kemi pasur mjete, por nuk i kemi shfrytëzuar. Pse nuk janë shpenzuar, pse nuk janë shpallur tenderë?! Është bërë dëm i madh. Mund të kemi pasoja të mëdha në disa procese që i ka ndërmarrë ish-ministrja në dy vitet e fundit. Ka shumë abuzime, jo vetëm në pjesën e shpenzimit të parave të njerëzve në kartën zyrtare, por ka abuzime të mëdha dhe aktivitete të paligjshme edhe në pjesën e investimeve kapitale.”, - deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. 
 
Lefkov: Raporti bankar dëshmon keqpërdorimin financiar
 
Nga pallati i bardhë nuk kanë të ndalur akuzat ndaj ish-ministres së Kulturës. Deputeti Lefkov publikoi raportin mujor për kartelën “Visa Business” në pronësi të Ministrisë së Kulturës, por e  lëshuar në emër të Bisera Konstadinovska-Stojçevska. 
 
“Bisera Antoaneta, je kapur  në flagrancë, se si me paratë e shtetit bleve valixhe, arusha pelushi, geta dhe çorape. Për 4 ditë janë shpenzuar 700 funte për këtë qëllim.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE. 
 
Shpenzimet e ish-ministres së Kulturës do të hetohen edhe nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, pasi e njëjta ka hapur lëndë për të dhënat për keqpërdorim të buxhetit. Ndërsa ditë më parë Kostadinoska Stojçevska tha se nëse dëshmohen keqpërdorime nga ana e saj do të përgjigjet për këtë, por sipas saj nëse ndodh e kundërta VMRO-ja do të përballet me padi.
 
SANIJE DURAKU