Maqedoni

Qeveri, shpaloset agjenda reformuese 2024 – 2027, Mickoski: Nuk firmos projekt për korridorin 8

27.08.2024 15:30

Qeveria shpalosi agjendën reformuese për periudhën 2024-2027 me qëllim avancimin e rritjes ekonomike...

Qeveria shpalosi agjendën reformuese për periudhën 2024-2027 me qëllim avancimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit të shtetit duke pasur në dispozicion 750 milionë euro. Agjenda duhet të miratohet nga Komisioni Evropian dhe më pas do të nënshkruhen marrëveshje për tërheqjen fillimisht të 7% të parave nga shuma e përgjithshme. Me agjendën nuk parashikohet të mbështesë korridorin 8, pasi sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, është diskutabil dhe për seksionin 3 të hekurudhës, nëpërmjet kanaleve të posaçme të komunikimit, atij i është ofruar ryshfet për ta nënshkruar tenderin i cili ka skadimin më 17 shtator.
 
“Nuk mund asnjëherë si kryeministër të vë nënshkrimin për projekt, të shpenzoj gjysmë miliard euro para të qytetarëve për projekt i cili përfundon mes të tunelit në rrugë qorre. Dhe pasi që isha viktimë e përpjekjes për ryshfet, lidhur me këtë projekt, unë thash se projektin si të tillë asnjëherë nuk do ta mbështesë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Murtezani: 250 milionë euro do të dedikohen për projekte
 
Mickoski për korridorin 8, që lidh Shqipërinë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, ka informuar edhe përfaqësues të Brukselit, pasi sipas tij me rëndësi për jetësimin e plotë të projektit është edhe angazhimi i palës bullgare. Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, thotë se për projektet janë parashikuar 250 milionë euro.
 
“250 milionë do të merren euro, do të merren si grant ose mjete të pakthyeshme për projekte investuese, ndërsa 500 milionë euro të tjera do të jenë hua me kushte shumë të volitshme, me afat të kthimit nga viti 2034 në dyzet vitet e ardhshme dhe me normë interesi jashtëzakonisht të ulët.”, - u shpreh ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
 
Reformimi i këshillit gjyqësor dhe gjyqësori në përgjithësi nuk është planifikuar në agjendë. Sipas kryeministrit, shteti nuk ka nevojë për agjenda reformuese nga Brukseli, pasi gjyqësori është veç më prioritet i Qeverisë. Sipas tij, kthesa në gjyqësor duhet bërë me ndërrimin e mendësisë.
 
MERAL ISMAILI