Botë

Lindja e Mesme, vazhdojnë kërcënimet mes Izraelit dhe Hezbollahut

27.08.2024 17:02

Rreziku i një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme është ulur pak pas sulmeve të fundit me raketa në kufirin izraelito-libanez...

Rreziku i një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme është ulur pak pas sulmeve të fundit me raketa në kufirin izraelito-libanez, por kërcënimi nga Irani mbetet ende, tha gjenerali i lartë amerikan, Çarls Braun, pas një vizite treditore në rajon. Teherani konfirmon se kundërpërgjigjja është e pashmangshme.
 
"Irani do të vendosë se si dhe kur do të hakmerret. Boshti i Rezistencës do të marrë hak për gjakun e Hanisë. Sulmi i Hezbollahut ndaj Izraelit, dje, është vetëm pjesë e hakmarrjes.”, - deklaroi kreu i forcave të armatosura iraniane, Mohamad Bagheri.
 
Nga Tel Avivi thonë se puna me Hezbollahun nuk ka përfunduar ende. Ata janë të vendosur të shkatërrojnë militantët.
 
“Hakmarrja ndaj Hezbollahut nuk ka përfunduar ende. Izraeli është i vendosur të eliminojë më shumë komandantë të organizatës terroriste dhe po punon vazhdimisht për të arritur qëllimin e kthimit të sigurt të banorëve të Izraelit verior në shtëpitë e tyre.”, - theksoi shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi.
 
OKB-ja shpreh shqetësim të thellë dhe bën thirrje për de-përshkallëzim.
 
"Këto veprime vënë në rrezik si popullsinë libaneze ashtu edhe atë izraelite, duke kërcënuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Sekretari i Përgjithshëm bëri thirrje për një deeskalim të menjëhershëm në rajon.”, - u shpreh zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq.
 
Tensionet po rriten gjithashtu në Bregun Perëndimor, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gazë. Ndryshe nga pretendimet se negociatat e armëpushimit dështuan, Shtëpia e Bardhë pretendon se ato ishin konstruktive dhe mbeten aktive në nivelin e grupeve të punës.
 
"Diskutimet përparuan deri në pikën ku dukej se hapi tjetër logjik ishte formimi i grupeve të punës në nivele më të ulëta për të përpunuar detajet.", - theksoi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Xhon Kirbi. 
 
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë izraelite. Njëkohësisht, bëjnë të ditur se në ditët në vijim fëmijët do të vaksinohen në Gazë pas mbërritjes së mbi një milion dozave të vaksinave kundër poliomielitit.
 
FITORE DEMOLLI