Mbi 340 punonjës shëndetësorë për edukim në vendet e huaja

22.04.2015 11:13

Nga fillimi i vitit 340 punonjës shëndetësorë janë dërguar për edukim në qendra mjekësore të renomuara në Evropë dhe botë në suaza të projektit për edukim të kuadrove shëndetësore në vendet e huaja...

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se gjatë këtij muaji, në edukim në vendet e huaja janë miratuar edukime për 90 punonjës shëndetësorë ndërsa deri tani janë dërguar 72  punonjës shëndetësorë,   në shumë qendra mjekësore në Evropë dhe SHBA, mes të cilëve: Qendra mjekësore universitare AKH-Vjenë, qendra mjekësore Ronald Regan-UKLA, SHBA, Klinika Shtutgard, Qendra klinike univeristare Hamburg-Ependorf, klinika ATOS-Gjermani, Spitali universitar Çapa Çerepasha-Stamboll, Qendra klinike Lubljanë, spitali Tokuda-Sofje, Qendra për trajnim-Izmir, Turqi, Qendra klinike Beograd, spitali Shafak-Stamboll.

Deri në fund të këtij muaji ashtu siç është cituar, 18 punonjës shëndetësorë do të dërgohen për edukim në qendra mjekësore në Novo Mesto, Slloveni dhe Stamboll, Turqi.

"Projekti për edukim të kuadros shëndetësor në vendet e huaja mundëson fitim të njohurive  dhe mjeshtërive të reja, si dhe mësim të metodave të reja për shërim dhe trajtim të pacientëve, me qëllim të përparimit të vazhdueshëm  të kualitetit të shërbimeve shëndetësore në Maqedoni", potencon Ministria.

Projekti zbatohet në tre vitet e fundit, ndërsa nga fillimi i implementimit deri tani në edukim  në vendet e huaja janë dërguar mbi 1.300 punonjës shëndetësorë.