Australia po përjeton stuhi të ashpër natyrore

22.04.2015 12:28

Mësohet se rreth 100 persona janë shpëtuar nga përmbytjet që ndodhën në Sidnej, ndërsa stuhitë po vazhdojnë të godasin bregun lindor të Australisë...

Tre të moshuar u gjetën të vdekur të martën më 21 prill në Dungog, në veri të Sidnejit, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan nga përmbytjet. Nga stuhia e pamëshirshme, rreth 200 mijë shtëpi në të gjithë shtetin janë pa energji elektrike.

Agjencia australiane e Motit ka paralajmëruar për shira më të dendur dhe erëra të forta në vijim. Byroja Meteorologjike tha se era arrin një shpejtësi deri në 100 km/h dhe se shtrëngata të tjera do të godasin zona të tjera në Sidnej dhe në qarkun e Ilawaras. Shiu që pritet të bjerë në 24 orët e ardhshme, nuk mendohet të jetë parë në shekullin e kaluar. Në veri të Sidnejit është bërë lajmërimi për një evakuim të mundshëm të banorëve.

Kryetari i Bashkisë së zonës, Michael Regan, tha për BBC-në se nuk e kishin parë një gjendje të tillë kurrë më parë. “Përveç shiut janë edhe erërat ato që kanë shkaktuar dëmet më të mëdha”.