Kurti: Mbështetja e ShBA-së, e palëkundur
28.08.2024 12:25
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Pas vizitës së shefit të CIA-s, Uilliam Burns, kryeministrit Albin Kurti në zyrë pritet t’i shkojnë edhe përfaqësues të Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s e ministra të shteteve anëtare të kësaj aleance. Kjo u bë e ditur nga i pari i ekzekutivit kosovar. Kurti tha se në të gjitha takimet e deritanishme ka marrë mbështetje të pa rezervë.
“Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm, kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik. Nesër për vizitë do të vijë zoti Tomas Gofus, ndihmës sekretar i përgjithshëm për operacione i NATO-s, sot vjen delegacioni danez i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti tha se janë duke vazhduar konsultimet me aleatët ndërkombëtar sa i përket hapjes së urës mbi lumin Ibër. Me këtë rast, ai u shpreh se liria e lëvizjes është e drejtë themelore për Republikën e Kosovës.
“Në të gjitha këto takime natyrisht se diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilin jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. Liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në Bashkimin Evropian.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se në takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës së fundit në ShBA, ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë.
BELINDA KOKA ADEMI
