Maqedoni

Mickoski: 2.500 denarë më shumë për pensionistët

28.08.2024 14:00

Ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor kanë kaluar në seancën e djeshme të Qeverisë.....

Ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor kanë kaluar në seancën e djeshme të Qeverisë. Me këtë, harmonizimi i pensioneve do të jetë në mënyrë lineare dhe jo me përqindje si më parë, deklaroi Hristijan Mickoski. Ai shtoi se me fillimin e punës së Kuvendit do të kalojë ky ligj dhe me pensionin e muajit shtator të gjithë pensionistët do të marrin 2.500 denarë më shumë në llogaritë e tyre. Pas kësaj rritjeje do të pasojë edhe një rritje tjetër për pensionistët, por ajo do të jetë në muajin mars.
 
“Ne premtuam se në vitin e parë pensionet do të rriten në mënyrë lineare  për 5.000 denarë, por ne do ta bëjmë këtë shumë shpejt apo për nëntë muajt e parë. Do të shohim më tutje se si do të jetë gjendja me buxhetin, por edhe në të ardhmen mund të ketë surpriza të këndshme për pensionistët, por edhe për punëtorët.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
LSDM: Qeveria i gënjeu pensionistët
 
Kanë reaguar nga opozitarja LSDM, të cilët thonë se VMRO-ja po i gënjen pensionistët dhe po vë në rrezik funksionimin normal të Fondit Pensional. 
 
“Në realitet pensionistët do të marrin rritje prej vetëm 1.000 denarëve, që  është shumë larg nga ajo që u është premtuar dhe larg nevojave të grupit më të rrezikuar në shoqëri. Me vendimin e fundit të Qeverisë, pensionistët u zhgënjyen kur kuptuan se në muajin shtator nuk do të kenë 5.000 denarë shtesë në llogaritë e tyre.”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
Nga LSDM-ja me kritika për pushtetin edhe për rritjen e pagave në arsim nga ku thonë se mësimdhënësit nuk do ta marrin rritjen e pritshme të pagave prej 12% në shtator.
 
“Revolta është e madhe, por edhe zhgënjimi i mësimdhënësve nga qeverisja e DPMNE-së. Mësuesit nuk do ta marrin rritjen e pritshme prej 12% në shtator, edhe pse Mickoski dhe DPMNE-ja kanë premtuar. Ata kanë shkelur premtimin për avancimin e arsimit.”, - theksoi Daniela Nikolova nga LSDM.
 
Kryeministri Mickoski, ditë më parë, sa i përket paralajmërimeve për rritje të pagave deklaroi se buxhet për rritje të pagave për këtë vit nuk ka dhe se rritje mund të ketë vitin e ardhshëm, por edhe atë në varësi të gjendjes së buxhetit.
 
GAZMEND KURTISHI